Të drejtën për të votuar, nuk e shfrytëzuan të gjithë qytetarët e Kosovës në balotazhin e 19 nëntorit. Ata po shprehen se nuk janë duke parë perspektivë prej udhëheqësve të tyre.
Abedin Qerimaj, qytetar i Prishtinës, thotë se nuk ka dalur të votojë me arsyetimin se nuk ka parë ndryshime tek asnjë kandidat, raporton Ekonomia Online.
“Arsyeja pse nuk kam votuar ka qenë se në Prishtinë nuk ka pasur asnjë ndryshim esencial gjatë gjithë këtyre viteve pasluftës. E kam parë të arsyeshme që të mos votoj. Pakënaqësia ka sjellë edhe këtë rezultat ku u ndërruan bastione të partive politike ku me siguri qytetarët duhet me qenë të pakënaqur”, u shpreh Qerimaj.
Edhe ata që votuan, nuk presin ndryshime prej udhëheqësve në komunat e tyre.
Nadie Hyseni e cila ka shfrytëzuar të drejtën e votës thotë se nuk ka shpresë se do të ndryshohet diçka me votën e saj.
“Kemi votu, po sen spo ndreqin asnjë, veç qe po duhet me votu se me jau pa hajrin asnjove. Si ai si ky, si secili të bohet sen spo shohim prej tyne, veç po votojmë”, tha Hysëni.
Disa prej qytetarëve po shprehen se në Kosovë, partitë janë të korruptuara, ndonëse rezultatet i vlerësojnë të pritshme.
“Rezultati ka qenë i pritshëm dhe qytetarët janë vetëdijësuar boll. Po dihet që Vetëvendosja, qekjo po dihet që po punon pa korrupsion pa kurgjo, po dihet që është një parti e veçantë prej partive të tjera”, ka thënë Pajazit Halimi.