Pakoja Fiskale II në fund të muajit do të miratohet në Qeverinë e Kosovës, kështu ka thënë kryeministri Mustafa gjatë vizitës që i bëri panairit ndërkombëtar “Prishtina 2017”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijojë politika të favorshme për të mundësuar zhvillimin e bizneseve vendëse, raporton Ekonomia Online.
“Mua gati të gjithë më pyetën se çka po ndodh me Pakon Fiskale II. Vetë fakti që më pyetën për të, do të thotë që ata e kanë përjetuar shumë mirë Pakon Fiskale I dhe presin që përmes pakos së dytë fiskale t’i zgjidhin disa nga pabarazitë që i kanë pasur deri më tani në treg dhe unë i sigurova që në fund të këtij muaji më së largu. Po ashtu do të punojmë në kërkesa të tjera që gjithherë të krijojmë kushte që bizneset tona të jenë të barabarta para bizneseve tjera të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
I pari i Qeverisë pasi që vizitoi bizneset pjesëmarrëse në këtë panair tha se prodhimet e Kosovës janë konkurruese me ato të BE-së.
“Kur njeriu e shef një ambient të tillë duket se ne jemi një Kosovë shumë evropiane se kemi produkte të cilat edhe sipas cilësisë të vendeve të Bashkimit Evropian por edhe të Shteteve të Bashkuara dhe unë jam shumë i lumtur për këto të arritura në sektorin ekonomisë”.
Gërxhaliu: Interesimi për të ekspozuar prodhimet po rritet
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se vizitat e krerëve të lartë shtetërorë shtojnë motivin e bizneseve.
“Është një motivim shtesë për bizneset për të vazhduar dialogun me strukturat më të larta të institucioneve në Kosovë. Ne jemi të bindur që ky panair po rritet me shtetin 18 vite dhe besoj që në të ardhmen e afërt Kosova do të ketë nevojë për zgjerim të shteteve, sepse interesimi për të ekspozuar jo për tregtinë por për prodhim, për vlerat prodhuese po rritet me kohë dhe janë bërë hapa pozitivë në këto dy vite në disiplinë financiare”, tha ai.
Shani Hoxha përfaqësues i Stone Castle tha se në panaire të tilla marrin pjesë vazhdimisht.
Ai tha se janë të kënaqur me interesimin e qytetarëve, por jo edhe me shitjen.
“Shitjet në këto panaire janë minimale, shitjen e bënë tregtia jo panairet. Ka interesim të qytetarëve por jo edhe sa duhet”, ka thënë ai.
Panairi ndërkombëtar “Prishtina 2017” do të jetë i hapur deri të shtunën.