Një person është lënduar si pasojë e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës në Arbëri.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e objektit.
Gruaja e lënduar është dërguar për trajtim në QKUK.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
“Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për mediet se një vajzë rreth të 20-tave është sjellë me lëndime.
“Sapo është sjellë në Emergjencë, është duke u trajtuar nuk dihet ende a është jashtë rrezikut për jetë mosha e saj është rreth të 20-tave”, ka thënë shkurtimisht Syla.
Burime të tjera nga Klinika Emergjente kanë thënë se e reja ka pësuar lëndime në kokë dhe se është në gjendje stabile.