Futbolli kosovar është tronditur mbrëmjen e së enjtes nga publikimet e mediave franceze, të cilat pretendojnë se klubi që bën gara në Superligën e Kosovës, Llapi, ka kurdisur katër ndeshje për një periudhe njëvjeçare, sipas hetimeve të autoriteteve franceze.
Dhe një nga ndeshjet që dyshohet të jetë kurdisur është ajo mes Llapit dhe Feronikelit, e luajtur më 24 shkurt të vitit 2022, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, të cilin e fituan vendasit 4:2.
Është mjaft interesante të shihen golat e shënuar në këtë ndeshje. Llapi shënon katër gola në pjesën e parë, ndërsa pëson dy në të dytën.
Pikërisht dy golat e shënuar nga Feronikeli lënë hapësira për dyshim. Në të parin, reagimi i mbrojtjes së Llapit është qesharakë, ndërsa në të dytin, portieri vendas del nga porta dhe humb duelin me sulmuesin e Niklit, Kiqinën.
Në fakt, Feronikeli në atë periudhë luante me lojtarë të rinj për shkak të problemeve financiare. Feronikeli u shua si klub, ndërsa një klub i ri, Feronikeli ‘74 hyri në mënyrë të dyshimtë në Ligën e Parë këtë sezon.
Llapit ka reaguar në orët e para të së premtes lidhur me raportimet se është përfshirë në kurdisje ndeshjesh. Kanë thënë se këto po bëhen për ta njollosur emrin e klubit.
Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, ka shkruar të enjten mbrëma se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.
Sipas Le Parisien, rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa janë edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.