Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prishtine dhe Gjykatën Themelore-Prishtinë, pas hetimeve disamujore duke zbatuar edhe masat e fshehta teknike të hetimit të fshehtë, ka ndërmarrë operacion taktik për kontrollimin e disa lokacioneve në regjionin e Prishtinës nën dyshimin e bazuar se të dyshuarit janë duke u marrë me kultivim të bimëve të kanabisit.
Në fshati Shkabaj Prishtinë, gjatë kontrollimit të shtëpisë se të dyshuarit A.Zh., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar) është gjetur laborator për kultivimin e kanabisit (bimët ishin në fazën finale të rritjes dhe brenda dhjetë ditëve pritej vjelja e tyre), njofton policia, transmeton Express.
“Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar/sekuestruar: 594 vazo të mbjella me bime të kanabisit (me gjatësi rreth 2 metra dhe peshë të përgjithshme rreth 300 kg), sistemi i ventilimit, pajisjet për ndriçim, pajisjet për ujitje të bimëve, 10 pako me pesticide, 2 vetura, një revole 7.65 mm, 8 fishekë, 3 telefona si dhe prova tjera materiale”, thuhet nw njoftimin e policisw.
Me kërkesë të prokurorit dhe urdhër të gjykatësit, shtëpisë që është shfrytëzuar për kultivim të kanabisit i është vënë shiriti rrethues për sekuestrim të përkohshëm. Prokurori i rastit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të tij të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
“Operacion i sotëm policor vije pas dy operacioneve tjera të suksesshme të drejtorisë së antidrogës ndaj kësaj dukurie të laboratorëve të datave 24.11.2021, laboratori në fshatin Grashticë-Prishtinë, ku ishin të kultivuara rreth 72 bimë dhe ishte arrestuar një i dyshuar dhe me datën 25.11.2021 në fshatin Prugovc-Prishtinë në një laborator të mbyllur janë zbuluar 112 bimë të mbjella të kanabisit, po ashtu edhe aty ishte arrestuar një i dyshuar”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.