Pamjet shfaqin agjentët dhe policët që qëndrojnë te trupi i atentatorit të Trumpit

Prishtinë | 24 Kor 2024 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Pamjet nga kamerat e trupit pak minuta pas tentim atentatit ndaj Donald Trumpit tregojnë shërbimin sekret dhe policët lokal duke qëndruar afër trupit të pajetë të atentatorit.

Në pamjet e publikuar mund të shihet edhe gjaku nga trupi i 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks, i cili qëlloi në drejtim të ish-presidentit nga çatia e një objekti 10 ditë më parë në Pennsylvania.

Një person nga audienca është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, por janë në gjendje stabile.

Pamjet e reja janë publikuar pak orë pasi drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kim Cheatle dha dorëheqje pas dështimit të sigurisë në lidhje me tentim atentatin.

“Një snajperist i Beaver Countyt e ka parë dhe na ka dërguar fotot, ky është ai”, dëgjohet një agjent i shërbimit sekret, duke iu referuar trupit të atentatorit.

“Nuk e di nëse e keni të njëjtin?” dëgjohet duke e pyetur një agjent, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Mendoj se po, ky është (qitësi) ka edhe syzet”, i përgjigjet ai.

Senatorët kanë kërkuar hetim të plotë të këtij incidenti.

Ligjvënësit e kanë intervistuar Cheatle në lidhje me përgatitjet e sigurisë para tubimit të fushatës.

Cheatle ka thënë se ka marrë përgjegjësi për lëshimet e sigurisë.

Ajo ka thënë se ky ishte “dështimi më i madh operacional në Shërbimet Sekrete në dekadat e fundit”.

Të ngjashme