Partitë politike ende nuk janë ulur të bisedojnë për krijimin e institucioneve të reja. Por, bisedat me deputetë të caktuar për t’i bindur që të votojnë kandidatët potencialë për kryeministër, nuk mungojnë.
Sidomos në koalicionin PDK-AAK-Nisma, në vazhdimësi deklarohen se kanë edhe deputetë nga partitë e tjera që do ta votojnë Haradinajn për kryeministër. Nga analistët kjo po shihet si joserioze.
Koalicioni PDK-AAK-Nisma me 39 deputetë nuk mund ta bëjë qeverinë, qoftë edhe me votat e të gjithë deputetëve të pakicave. Në këtë mënyrë, derisa nuk ka ndonjë bisedë zyrtare me partitë e tjera, bisedat me deputetë individualisht vazhdojnë.
Këtë e konfirmojnë edhe vetë zyrtarët e këtij koalicioni, të cilët në vazhdimësi thonë se i kanë numrat për krijimin e qeverisë.
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, shprehet i sigurt se edhe deputetë nga partitë e tjera do ta mbështesin Ramush Haradinajn për kryeministër.
“Me siguri që nga partitë e tjera, sepse ne i kemi 39 deputetë, duhen edhe dy deputetë nga subjektet e tjera, plus minoritarët”, ka thënë Lekaj për Radio Kosovën.
Kjo sjellje e partive politike nga analisti Imer Mushkolaj po shihet si joserioze.
“Zyrtarët e këtyre partive politike bisedojnë fshehurazi me deputetë të caktuar veç e veç në mënyrë që ata t’i bindin që t’u bashkohen për t’i bërë votat për krijimin e qeverisë. Kjo mënyrë nuk është aspak institucionaliste, është mënyrë e funksionimit në kafene e jo në institucione”, thotë Mushkolaj.
Avdullah Hoti, nga LDK-ja, thotë se koalicioni LDK-AKR përfshihet në biseda për koalicion, vetëm pasi ta shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për krijimin e qeverisë, koalicioni PDK-AAK-Nisma.
“Në atë moment që konsumohet kjo e drejtë, ne menjëherë do të angazhohemi me të gjitha partitë politike pa përjashtim, përveç PDK-së”, ka thënë Hoti.
Analisti Mushkolaj thotë se bisedat për krijimin e Qeverisë do duhej të zhvilloheshin para certifikimit të rezultateve, në mënyrë që mos të ketë vonesa në krijimin e institucioneve.
“Kjo fatkeqësisht nuk po ndodh dhe unë e kam përshtypjen se këto parti politike nuk po funksionojnë ndryshe veçse si kaçakë, me këta njerëz që edhe mund të sigurojnë vota për krijimin e Qeverisë, por fundja, kjo nuk është zgjidhje e duhur dhe nuk është mënyrë e duhur e funksionimit”, tha Mushkolaj.
Nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, presidenti ka afat prej 30 ditësh ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, por ndonëse asnjë nuk i ka të sigurta 61 vota në Kuvend, zyrtarët e partive kanë bërë thirrje që presidenti mos të vonohet në thirrjen e kësaj seance.