Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, më 3 dhe 4 dhjetor, organizon panairin e produkteve bujqësore, agroindustriale dhe tregtisë inverse “Prishtina 2018”, me qëllim të promovimit të kompanive kosovare dhe produkteve të tyre brenda Kosovës, rajonit dhe më gjerë.
Fokusi i këtij panairi është shporta e produkteve kosovare, prandaj nën temën #ShportaJonë do të ekspozohen dhe promovohen kompanitë e pranishme. Në këtë panair marrin pjesë 36 kompani nga Kosova dhe një nga Italia.
OEK thekson se ky panair është i një dimensioni më ndryshe pasi që organizohet brenda kornizës së ngjarjeve të lidhura me javën e CEFTA-s, ku do të marrin pjesë akterot më të rëndësishëm që shtyjnë drejt rrjetëzimit dhe zhvillimit të bizneseve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë panair organizohet edhe ngjarja “Shija Vendore”, me ç’rast do të bëhet degustimi i pijeve dhe ushqimeve vendore.
Hyrja dhe transporti për vizitorët e Panairit është falas, çdo 30 minuta.
Të gjithë të interesuarit në më shumë detaje rreth panairit mund të kontaktojnë këtë numër telefoni 046-123-429 apo të vizitojnë faqen zyrtare të Odës Ekonomike të Kosovë në rrjetin social Facebook.
OEK fton të gjithë të interesuarit që ta vizitojnë Panairin e Agrobiznesit dhe të njihen nga afër me produktet agroindustriale, tregtinë inverse dhe risitë e përgjithshme të këtij edicioni.
AGJENDA:
3 dhjetor 2018
13:30 – Hapja e panairit
18:30-20:30 – Shija Vendore, degustim i pijeve dhe ushqimit vendor
4 dhjetor 2018
09:00-19:00 – Dita e dytë e panairit