Panairi i produkteve bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2016”, i cili është hapur sot nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) ka tubuar mbi 100 kompani të ndryshme nga vendi dhe rajoni.
Me anë të këtij panairi bizneset prodhuese po prezantojnë produktet e tyre para qytetarëve në mënyrë që të njihen sa më afër me cilësinë e prodhimeve.
Në hapjen e panairit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Oda ekonomike e Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se Kosova nuk është vetëm qendër ekonomike, por ka edhe dimensione tjera siç është bashkëpunimi, rajonal, dialogu partneriteti dhe rrugëtimi drejt familjes evropiane.
“Panairi po rritet me kohën dhe sot e dëshmon fakti me pjesëmarrjen e më shumë se 100 kompanive të ndryshme dhe në këtë drejtim është një dëshmi se sektori edhe përkundër sfidave të shumta është duke ecur drejt ardhmërisë”, ka thënë Gërxhaliu.
Në anën tjetër, kryeparlamentari Kadri Veseli, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të rajonit në fushën e ekonomisë.
Sipas tij, ky panair përçon mesazh inkurajues për të gjithë fermerët.
“Kjo tregon se si duhet të ndërtojmë ura të komunikimit. Ekonomia nuk njeh kufij, ekonomia duhet të lëvizë që të krijojmë partneritet të komunikimit me vendet tjera… Nuk ka më shumë patriotizëm se sa ata që krijojnë vende të reja të punës”, ka thënë Veseli.
Veseli tha se Bujqësia është një element kyç që ndikon në përmirësimin e bilancit tregtar dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria ka prioritet zhvillimin ekonomik, veçmas fushën e bujqësisë, me të cilën janë arritur rezultate të larta.
Ai tha se për këtë fushë janë ndarë subvencione dhe grande të shumta, po ashtu janë përkrahur edhe panaire të tilla.
I pari i Qeverisë, shtoi se Kosova ka nevojë që të rrisë prodhimtarinë e brendshme, në mënyrë që të rritet eksporti dhe cilësia e produkteve.
“Kemi trend të rritjes ekonomike dhe eksportit gjatë këtij viti. Tani po përgatitemi të jemi konkurrent dhe në tregun evropian”.
“Po i japim rëndësi prioritare me programin qeverisës zhvillimit ekonomik, veçmas fushës së bujqësisë”.
“Vlerësoj se në bujqësi kemi arritur rezultatet të larta në pikëpamje të rendimenteve të cilat i kemi realizuar këtë vit dhe në pikëpamje të bashkëpunimit me prodhuesit bujqësorë, kemi ndarë grante dhe subvencione të rëndësishëm në këtë fushë, dhe kemi krijuar një strukturë të rëndësishme të cilën se kemi pas më parë…”, ka thënë Mustafa.