Pandemia mund t’i shpëtojë disa të akuzuar të profilit të lartë

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Katër javë i ka në dispozicion Prokuroria Speciale e Kosovës që të ngrejë aktakuzë për hetimin e zyrtarëve të lartë, të cilët dyshohet se kanë votuar në favor të marrëveshjes, nëpërmjet së cilës i janë falur katër hidrocentrale konsorciumit “Çalik holding Limak”. Për këtë rast janë duke u hetuar disa ish-ministra.

Javë më parë gazeta është njoftuar se aktakuza është shkruar, por ajo nuk është dorëzuar në gjykatë. Nëse aktakuza nuk dorëzohet deri në fillim të majit, atëherë përfundon afati kohor i hetimeve. Ngritja e aktakuzës e shpëton këtë lëndë nga parashkrimi. Parashkrimi final evitohet edhe nëse gjykimi kryhet për më pak se dy vjet. Ky afat kohor, nisur nga praktikat e deritashme është i shkurtër – të rralla janë rastet e profilit të lartë që kanë marrë epilog gjyqësor brenda 24 muajve.

Suspendimi i seancave për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit mund ta shpëtojë edhe ish-kryetarin e Skënderajt, Sami Lushaktu, nga ndjekja në rastin QKUK. Lushtaku akuzohet për disa vepra penale në këtë rast. Një nga veprat është “arratisja e personit nga liria”.

Në nenin 405 të Kodit Penal të Kosovës përshkruhet se sa është dënimi për këtë vepër.

“Kushdo që arratiset nga institucioni ku gjendet në mbajtje, në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Parashkrimi absolut ose “vdekja” e një vepre penale ndodh atëherë kur periudha prej momentit të kryerjes së veprës penale e deri te përfundimi i gjykimit arrin dyfishin e kohëzgjatjes së dënimit të parashikuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme