Bankat e shkollave ishin të zbrazëta për plotë dy muaj e gjysmë në Kosovë, ndërsa ende nuk ka vendim nëse nxënësit do të mund të kthehen në shkollë për të përfunduar këtë vit shkollor.
Mësimi në distancë e zëvendësoi gjatë kësaj kohe mësimin e rregullt dhe kjo po konsiderohet një sfidë për sistemin arsimor në Kosovë, por që situata me pandeminë thuhet se nuk e ka dëmtuar atë.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se falë teknologjisë është zëvendësuar mësimi i rregullt me atë nga distanca, i cili sipas tij nga dita në ditë është përmirësuar dukshëm.
Megjithatë, sfidë kryesore sipas Pupovcit mbetet kthimi në realitet, e që siç tha ai duhet të fillohet me bërjen e planeve për vitin e ardhshëm.
“Sfida kryesore për sistemin e arsimit është si do të rikthehemi në normalitet dhe kjo nuk varet vetëm nga institucionet arsimore, por edhe nga zhvillimi i pandemisë dhe vendimet e autoriteteve shëndetësore. Për shembull, nëse prania e coronavirusit vazhdon në një formë të zbutur, shkollave mund të ju vendosen kufizime sa i përket numrit të nxënësve në klasa dhe në zonat urbane kjo do të thotë se duhet punuar në 3 ose edhe 4 ndërrime. Ose, duhet të shkurtohen orët dhe të organizohet puna, ashtu që një pjesë të mësimit nxënësit ta bëjnë nga distanca. Në zonat rurale ku ka më pak nxënës në klasa, kjo edhe mund të mos paraqet ndonjë problem. Ndërkaq, nëse vlerësohet se coronavirusi edhe më tutje paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, atëherë duhet të vazhdohet me punën nga distanca. Pra, tani është koha të bëhen plane për vitin e ardhshëm, në mënyrë që 1 shtatori të na gjej të përgatitur për çdo skenar”, u shpreh Pupovci.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti ka thënë se i takon ministrisë të ketë një plan strategjik, në mënyrë që të filloj mësimi në shtator, pa probleme.
“Sa i përket fillimit të mësimit unë nuk kam pasur asnjë konsultë, për këtë ministria nuk na ka kontaktu. Por, qëndrimi jonë si këshill është që nëse vendos MASHTI, pra e sheh të arsyeshme me i hap shkollat, duhet paraprakisht të sigurohet vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëse ka kushte që të hapen shkollat fillore. Nëse mendimi i tyre është pozitiv, atëherë ministria duhet me pas një plan adekuat, sikur që po e ndjekin vendet evropiane, në mënyrë që sa më sigurt të jenë nxënësit e të mos infektohen me virusin COVID-19”, tha Reshiti.
Sipas Reshitit, nëse virusi do të jetë i pranishëm në Kosovë edhe gjatë muajit shtator në Kosovë, atëherë i takon ministrisë që të ketë një plan strategjik se si duhet të zhvillohet mësimi nëpër shkolla.
Sa i përket përfundimit të këtij viti shkollor, Pupovci ka thënë se do të duhej që ky vit të përfundonte në bazë të orarit të aprovuar në fillim të vitit, me përjashtim të ndonjë rasti ku nxënësit kanë mbetur prapa me mësime.
Pupovci shtoi se tashmë është nxjerrë një udhëzim administrativ në bazë të të cilit do të mund të vlerësohen nxënësit.
“Ky vit shkollor duhet të përfundojë sipas kalendarit të aprovuar para fillimit të tij, sepse nuk ka pasur humbje të mësimit në atë masë që të kontestohet rregullsia e tij. Nëse ka ndonjë shkollë e cila ka filluar me vonesë të madhe mësimin nga distanca dhe nxënësit kanë mbetur shumë prapa, atëherë mund t’i shtohen edhe 2 ose 3 javë që ta përfundojë vitin shkollor. Ministria e Arsimit ka nxjerrë një Udhëzues për vlerësimin e nxënësve në kushte të pandemisë në fund të muajit prill dhe shkollat tanimë janë duke e zbatuar. Parashihen forma të ndryshme të vlerësimit, duke filluar nga kuizat online, vlerësimi me gojë përmes shfrytëzimit të platformave të komunikimit, vlerësimi i detyrave të shtëpisë, vlerësimi i projekteve mësimore që i bëjnë nxënësit, e kështu me radhë”, thotë Pupovci.
Ai shtoi se porosia e Udhëzuesit është se, në kushtet e tanishme, mirëqenia e nxënësve është më e rëndësishme se shkalla e përvetësimit të njohurive nga ana e tyre. Duhet të kemi parasysh se mbyllja në shtëpi, pamundësia e socializmit dhe e shkuarjes në shkollë i demotivon të rinjtë.
“Vlerësimi duhet të ketë për qëllim t’i motivojë ata, si dhe t’i ndihmojë mësimdhënësit ta organizojnë sa më mirë procesin mësimor. Për këtë arsye edhe është marrë vendim që nota përfundimtare të mos jetë më e ulët se nota e datës 11 mars kur është shpallur pandemia dhe janë mbyllur shkollat. Kështu kanë vepruar shumica e shteteve të rajonit”, u shpreh Pupovci.
Reshiti tha se pandemia nuk e ka dëmtuar arsimimin, por që në Kosovë nuk ka arsimim të mirëfilltë, ndërkaq reforma e re sipas tij ka dështuar në Kosovë.
“Këto shqetësime e këto dështime i ka vërtetuar më së miri dy herë rezultati i testit PISA, prandaj prioritet i Ministrisë edhe Qeverisë është që të fus në prioritetet e shtetit krijimin e një sistemi adekuat të ri të arsimit të Kosovës, duke i vlerësu mangësitë që ka arsimi tash e 20 vite”, tha Reshiti për Telegrafin.
Kryetari i Këshillit të Prindërve tha se do të duhej që të merrej ndonjë model që ofrojnë shtet e zhvilluara. Por duke e adaptuar për kushte të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojë mbajtja e mësimit edhe në kohë pandemie, dhe që ky mësim të jetë efikas.
“Ky mësim online që po praktikohet në Kosovë është kundër asgjëje, që të mos themi se nuk është bërë asgjë, Ministria ka fillu me diçka dhe kjo është si pikë fillestare. Diçka që kemi filluar në atë drejtim, që më vonë të sillet një risi shumë më e madhe dhe të pasurohet ky program, duke marrë parasysh modelet e tjera evropiane”, tha Reshiti.
Ai tha se sistemi online që është ofruar nuk i ka plotësuar nevojat e nxënësve as për së afërmi, por që në anën tjetër ka shërbyer që fëmijët sado pak t’i mbajt të lidhur me librat e shkollimin.
Reshiti tha se mësimi online dhe përmes televizionit ka nxjerrë në pah defektet të cilat më parë Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe ekspertët e ndryshëm të arsimit i kanë ngritur si shqetësime.
“Përmes televizionit tash, prindërit dhe njerëzit tjerë, duke e përcjellë mësimin online kanë vërejt se çka ofron realisht sistemi arsimor në Kosovë. Edhe kuadri, për të cilin unë kam respekt që japin mësim përmes televizionit, që janë zgjedh nga Ministria e Arsimit si kuadri më i mirë në Kosovë, ai tregon që krahasuar me vendet tjera të kuadrit arsimor, ne jemi larg”, tha Reshiti për Telegrafin.
Sipas Pupovcit, përballja me pandeminë COVID-19 nuk e ka dëmtuar sistemin arsimor në Republikën e Kosovës, por që e ka vënë para një sprove të madhe, meqë rast sipas vlerësimit të tij reagimi i sistemit arsimor ka qenë mjaftë i mirë.
“Në fakt, sistemi arsimor ka reaguar shumë mirë, duke organizuar mësimin nga distanca, pa asnjë përgatitje paraprake. Gjatë kësaj periudhe e kemi kuptuar sa kreativë mund të jenë mësuesit, sa shpejtë i përshtaten kërkesave të kohës, sa mirë e shfrytëzojnë teknologjinë. Pastaj, të mos harrojmë se 90% e nxënësve dhe studentëve në botë kanë qenë në pozitë të njëjtë, pra nuk është se vetëm ne jemi përballur me këtë situatë. Unë mendoj se tek ne janë të dëmtuar ata nxënës që nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në mësimin online për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike. Rëndom bëhet fjalë për fëmijë nga grupe të margjinalizuara dhe vlerësohet se përbëjnë deri në 10% të nxënësve. Mendoj se shteti duhet të ketë një plan që këta fëmijë të mos dëmtohen përsëri nëse do të vazhdojë mësimi nga distanca. Tanimë kemi shembuj të mirë nga disa komuna, të cilat, me ndihmën e donatorëve, kanë siguruar pajisje teknologjike për këtë kategori”, tha Pupovci.
Kryetari i Këshillit të Prindërve në anën tjetër, bëri thirrje që nga shtatori Qeveria krahas shëndetit të qytetarëve të ketë prioritet edhe arsimin në Kosovë me një program për mësim në kushte pandemie, me metodologji krejtësisht të re, në mënyrë që në të ardhmen të rishkruhet një sistem i ri i arsimit, në përputhje me rrethanat në të cilat jetojmë.
“Kjo duhet të ndodhë gjatë ndoshta tri viteve në vazhdim, përndryshe ne do të vazhdojmë të prodhojmë kuadro ‘profesionale’, të cilat me shkathtësitë dhe aftësitë që i kanë nuk mund ta gjejnë vetën, por nuk mund të jenë as konkurrentë në tregun e punës”, tha Reshiti.