Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit “Termokos”, Arsim Fetahu, thotë se edhe këtë vit kanë bërë shumë investime në aspektin e rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjetit.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se vitin e kaluar është realizuar pjesa e parë e projektit të Komisionit Evropian në vlerë prej 8.8 milionë.
“Po sikur vitet e kaluara edhe këtë vit ka shumë investime në aspektin e rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjetit. Siç e dini vitin e kaluar është realizuar pjesa e parë e projektit të Komisionit Evropian në vlerë prej 8.8 milionë euro ku një pjesë e madhe e lagjes Kalabria dhe disa objekte publike si çerdhe dhe shkolla janë kyç në qytetin e Prishtinës dhe e njëjta ka vazhduar edhe në këtë vit”.
“Ku këtë vit janë kyç për herë të parë shkolla Meto Bajraktari, çerdhja Xixëllonja, objekti i ministrisë së Kulturës dhe Teatri Kombëtar dhe 5 objekte në lagjen Ulpiana. Gjithashtu ky projekt do të vazhdojë edhe në pjesën e Matit 1”.
Sipas tij, edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia asnjë projekt nuk është ndaluar nga Termokos.
“Ka pasur vonesa shumë të vogla të cilat kanë qenë të arsyeshme. Edhe ky projekt edhe ai i komisionit evropian do të fillojnë realizimin vitin e ardhshëm dhe deri më tash nuk ka pasur ngecje fare”.
Ai falënderoi MSS-në dhe qeverinë amerikane për fondin e ndarë për Termokosin që kap vlerën 10 milionë dollarësh.
“Është në vazhdën e projekteve të mëdha që Termokos është duke realizuar. Vlera e marrëveshjes ka të bëjë me një donacion prej 10 milionë dollarësh me që rast e falënderojmë qeverinë amerikane fondin MSS për këtë fond që ka ndarë për Termokos”.
“Me këtë projekt do të bëhet vendosja e matësve të mençur dhe radiatorëve që konsumatorët tanë tash e tutje do të paguajnë varësisht sa shpenzojnë energji që mundëson se ata duhet të vetëdijesohen të kursejnë energji dhe të kemi mundësi ta bëjmë zgjerimin e rrjetit te konsumatori”.