Panik në aeroplanin Prishtinë-Cyrih, ulje e detyrueshme

Prishtinë | 15 Qer 2017 | 13:57 | Nga

Të mërkurën, pasagjerët e aeroplanit Prishtinë-Cyrih janë tmerruar derisa ishin duke fluturuar drejt Zvicrës, raportojnë mediet zvicerane.

Bateria tej mase e nxehur e një telefoni celular ka shkaktuar një tym të dendur në bordin e aeroplanit të agjencisë “Germania”.

Aeroplani menjëherë pasi është nisur drejt Cyrihut, është dashur të kthehet.

Aeroplani i “Germania Airline” të mërkurën është nisur me kohë për në Cyrih nga Aeroporti i Prishtinës. Menjëherë pasi e nisi fluturimin, piloti është dashur ta kthejë avionin për në Prishtinë.

Arsyeja, siç shkruan portal zviceran, blick.ch, ishte bateria e një telefoni.

Portali e citon dëshmitarin e ngjarjes, Arben Nuaj, i cili thotë se e ka përjetuar panikun vetëm pak ulëse më tutje.

“Papritmas pasagjerët që ishin para meje filluan të bërtasin dhe të qajnë. Më pas e pash tymin edhe vet”, ka thënë Nuaj.

“Ishte ngjarje e tmerrshme, të gjithë ishin ngritur në këmbë, lëviznin pa kontroll. Askush nuk e dinte saktë çfarë po ndodh. Unë e pash tymin e dendur, çka më frikësoj tej mase”, shton më tej Nuaj.

Stafi që ka qenë i angazhuar në atë udhëtim kanë reaguar shpejt duke e evituar më të keqen.

E tërë ngjarja me panik dhe tollovi ka zgjatur 15 minuta, derisa situata është vënë nën kontroll.

Piloti e ka kthyer menjëherë aeroplanin në aeroportin e Prishtinës ku zjarrfikësit kanë qenë në gjendje gatishmërie, shkruan më tej ky medium zviceran.

Dy orë më vonë fluturimi megjithatë është realizuar pasi aeroplani i njëjtë ka arritur ta kryejë fluturimin për në Cyrih.

Nuaj i ka thënë blick.ch se tre pasagjerë kanë qenë aq të frikësuar sa nuk kanë dashur të fluturojnë më.

“Germania Airline” e ka konfirmuar rastin duke thënë se fjala ishte për një bateri që nuk ishte në përdorim, ndonëse nuk e kanë treguar se për çfarë lloji të baterisë saktë bëhet fjalë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme