Papa Françesku: Migrantët nuk e pushtojnë Evropën

Prishtinë | 23 Sht 2023 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Papa Françesku ka thënë të shtunën se qeveritë perëndimore duhet të kujdesen më shumë për migrantët që e kalojnë Mesdheun, sepse “ata që e rrezojnë jetën e tyre në det, nuk janë pushtues, ata kërkojnë mirëpritje”.

Papa ka thënë përgjatë një vizite në qytetin francez Marsejë se migrimi është “realitet i kohës sonë, një proces që përfshin tri kontinente në Mesdhe dhe përgjigja duhet të jetë largpamëse, përgjigje evropiane”.

Deklaratat e Papës – të bëra para presidentit francez, Emmanuel Mcron, Qeveria e të cilit planifikon marrjen e masave më të ashpra kundër migrimit – i pasojnë qëndrimet e tij të së premtes, kur ka thënë se “njerëzit që rrezikojnë të përmbyten në valë, duhet të shpëtohen”.

Mënyra sesa Evropa është duke u marrë me numrin e madh të migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, është në krye të agjendës politike evropiane prej javës së kaluar, kur mijëra persona kanë arritur në ishullin italian Lampeduza, brenda pak ditësh.


Papa i ka komentuar edhe disa politika të brendshme të Francës, përfshirë projektet e Macronit për vdekje të asistuar dhe përfshirjen e të drejtës për abort në Kushtetutën e shtetit.

Kreu i Selisë së Shenjtë ka paralajmëruar se njerëzit e moshuar rrezikojnë “të flaken tutje, nën pretekstin për një vdekje ‘të ëmbël’, e cila është më e ‘njelmët’ sesa ujërat e detit”.

Sa i përket abortit, Papa ka thënë se fëmijët e palindur, “refuzohen në emër të një të drejte të rreme për përparim, e cila në fakt është tërheqje për nevojat egoiste të një individi”.

Të ngjashme