Papa Françesku ka bërë thirrje për një ditë ndërkombëtare “të lutjeve për paqe” më 26 janar, që të ndalet kriza në Ukrainë. Ai po ashtu bëri thirrje që bisedimet politike të kenë në fokus “vëllazërinë njerëzore në vend të interesave partiake”.
“Po ndjek me shqetësim rritjen e tensioneve që kërcënojnë të shkaktojnë një goditje të re të paqes në Ukrainë dhe të vënë në pikëpyetje sigurinë në Evropë, që mund të ketë edhe pasoja më të gjera”, tha Papa më 23 janar.
Vatikani nuk dha ndonjë detaj se si Papa do ta shënojë ditën ndërkombëtare për lutje për paqe për Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë paralajmëruar se grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse në kufi me Ukrainën mund të jetë përgatitje për një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Moska, që ka mohuar se po planifikon ta pushtojë Ukrainën, ka kërkuar garanci nga NATO, që do të ndalonte anëtarësimin e ish-shteteve sovjetike, siç është Ukraina, në këtë aleancë ushtarake.