Paqartësitë rreth kostos së financimit zvarrisin Projektligjin për Punëtorët e Arsimit të viteve të 90-ta

Prishtinë | 10 Kor 2018 | 14:34 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka shqyrtuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-ta.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se në shqyrtim të Projektligjit duhen ekspert të financave, në mënyrë që vendit të mos i shkaktohen probleme financiare, raporton Ekonomia Online.

“Unë mendoj që kjo është kryekëput për ministrin e Financave. Me një kërkesë të veçantë duhet t’i obligojmë ministritë e Arsimit, Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të Financave të jenë pjesë e punës tonë dhe të kemi informatat e sakta për numrin e njerëzve që janë përfitues”.

“Për trajtimin e këtij ligji, nevojitet asistencë edhe nga ekspertet financiar të vendit, në mënyrë që të mos i sjellim vendit probleme financiare të patejkalueshme”, tha ai.

“Që sot do t’i drejtohem dy ministrive për informatat e lartpërmendura dhe të hënën të na sjellin të dhënat dhe ne duhet të fillojmë të punojmë”.

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së, theksoi se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria Financave nuk janë treguar serioze në raport me Projektligjin në fjalë.

“Ministria e Financave dhe ministria e Punës dhe Mirëqenies, nuk kanë sjellë asnjë koment të shkruar që ne kemi kërkuar lidhur me Projektligjin në fjalë. Ne kemi bërë dy debate publike”.

“Momentin që nuk kemi komente prej ministrive përkatëse që vazhdimisht po flasin për koston e lartë të këtij ligji, ata nuk janë serioz. Duhet të kemi të dhëna të sakta sa mësimdhënës janë. Nuk mendoj që është një kosto aq e lartë sa po flitet”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, tha se sektori i arsimit më shumë se të gjithë sektorët e meriton të ju kompensohet kontributi.

“Unë mendoj që të ndahemi si komision dhe të kemi një grup punues profesional dhe t’i shqyrtojmë nen për nen. Mendoj se duhet të fokusohemi vetëm tek sektori i arsimit dhe jo tek sektorët tjerë. Kontribut kanë dhënë të gjithë sektorët, por askush nuk mund të krahasohet me mësimdhënësit”.

“Unë po e shoh që dy ministritë nuk janë të gatshme me na ndihmu dhe puna më e madhe na ka mbetur neve si komision”.

Driton Çaushi tha se ky Projektligj duhet të shqyrtohet nga ministria e Financave.

“Kemi pasur dy dëgjime publike dhe përshtypja ime nga këto dy takime kam konkluduar që kjo temë nuk duhet të diskutohet në komision. Kjo çështje i takon ekspertëve të financave”.

“Për mua, nuk është fare e qartë se ka një qartësi brenda institucioneve se ky ligj ka ndonjë ngarkesë. Nga përfaqësuesit e bankës botërore kishim vërejtje të mëdha për përgjegjësinë që marrim ne për dëmtimin e buxhetit nga ky ligj. Nuk jemi autoriteti i duhur për të dhënë vlerësimin e një ligji që ka pasoja financiare”, tha ai.

Shqyrtimi i këtij Projektligji është shtyrë derisa komisioni t’i merr raportet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Të ngjashme