Mbi dy dekada, Kosova dhe Serbia jetojnë në një paqe të pa-përfunduar. Formalisht ende në luftë, e realisht ende pa paqe. Pa traktat paqësor, pa njohje reciproke ndër-shtetërore dhe pa marrëdhënie të plota diplomatike.
Serbia, pa kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë e as pa paguar reparacionet e luftës. Kosova, ndërkaq edhe pa plotësimin e këtyre kushteve nga Serbia, gjithnjë e gatshme për “dialogun e normalizimit”: edhe me heqjen taksës, të reciprocitetit dhe me mos-aplikimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Negociatat asimetrike 8 vjeçare të trajtimit të pabarabartë të palëve negociuese, vazhduan edhe me asimetrinë në koncesionet që ato duhet ti bëjnë. Kosova, bëri edhe 3 koncesione të reja, Serbia asnjë!
Pse ndërkombëtarët i besojnë kaq shumë këtij “paqësori”: që si President i Serbisë ende nuk njeh verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës; si Ministër i Millosheviqit, kërcënonte me vrasjen e 100 boshnjakëve për 1 serb; e si lider partie, vijoi ideologjinë e krijuesit të saj – Pashiqit, për hegjemoninë serbe në Ballkan?
Ndërkombëtarët edhe mund të eksperimentojnë sërish me “negociata teknike”, por ato nuk e përfundojnë procesin e fundit paqësor të Ballkanit. Serbisë i duhet ballafaqimi me të vërtetën e pakthyeshme se Kosova është e pavarur. Pa njohje reciproke ndër-shtetërore në kufijtë ekzistues, nuk mund të përmbyllet paqa e fundit e pa-mbyllur në Ballkan.