Në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito i shfrytëzoi këto rrethana për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t’i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit në Serbi.
Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, “Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.
Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS-ja e UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të “Adriatikut” në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë.
Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva, Prishtina, Kaçaniku, Ferizaj, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni, etj.