Kërcënime me eksplozivë para një filiali të bankës në Tivar

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Policia malazeze ka evakuuar një pjesë të madhe të qendrës së Tivarit, afër filialit të NLB Bankës, brenda së cilit që nga mëngjesi i 28 dhjetorit ndodhet, Edin Begziq.

Begziq kërcënoi se do të aktivizojë eksploziv duke kërkuar që ish-punëtorëve të kompanisë në falimentim “Primorka”, t’u paguhen pagat e mbetura. Policia evakuoi edhe ndërtesën në të cilën ndodhet filiali i bankës dhe përtej shiritit të sigurisë së policisë mund të kalojnë vetëm policët dhe zjarrfikësit.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë nga vendi i ngjarjes se tashmë kanë filluar negociatat mes policisë dhe Begziqit, i cili ka vendosur disa kanistër para objektit të bankës në të cilat besohet se ka materie shpërthyese.

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Sergej Sekulloviq, duke folur për ngjarjen në Tivar njoftoi se situata është komplekse dhe se negociatat po i udhëheqin persona kompetentë dhe se beson në rezultatin më të mirë.

“Në këtë moment nuk mund të parashikoj sepse situata është krejtësisht e hapur. Patët mundësi të dëgjoni se çfarë motivi qëndron pas kësaj, tashmë dihet për kë bëhet fjalë, janë të qarta edhe kërkesat dhe në këtë moment duhet tentuar që pa përdorimin e mjeteve të dhunës të shkaktojmë reagimin e këtij personi që të heqë dorë nga masat eventuale të dhunës”, tha ministri Sekulloviq. Ai shtoi se fjala është për padrejtësi, që ky person ndien se i është bërë.

“Shpresoj që me bisedë dhe negociatat kjo situatë do të zgjidhet në mënyrën më të mirë”.

Në ndërkohë është deklaruar edhe NLB banka në filialin e së cilës në Tivar po zhvillohet ngjarja. Banka njoftoi se ky filial në mëngjes nuk është hapur.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Begziq ka ngjitur një pllakat mbi degën e Bankës në të cilin shkruante “Ktheni paratë që i vodhët nga punëtorët e ‘Primorka-s’” dhe ka njoftuar se i armatosur do të mbajë punëtorët e bankës nën kontroll derisa paratë t’u kthehen punëtorëve.

Policia ende nuk është deklaruar lidhur me këtë rast.

Në një video, të cilën Begziq e ka publikuar në YouTube para aksionit të tij, ai ka thënë ka të veshur jelek antiplumb, maskë kundër gazit lotsjellës dhe koktej molotovi dhe ka revole me plumba dhe dy eksplozivë të improvizuar me komandë.

“Nëse kjo video nuk publikohet, kjo nënkupton që unë ia dola të hyj në filialin e bankës së hajdutëve NLB Banka në Tivar. E them të hajdutëve sepse kjo bankë, me ndihmën e shtetit dhe institucioneve të saj, vodhi paratë e popullit të ndershëm dhe të mjerë dhe punëtorëve të kompanisë ‘Primorka’ nga Tivari në vitin 2010”, ka thënë Begziq në fillim të videos, në të cilën prezantohet si i biri i njërit prej ish-punëtorëve të kompanisë.

Në videon e publikuar, Begziq i drejtohet kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq dhe kryetarit të Parlamentit, Alleksa Beçiq me thirrjen që të flasin me drejtorin e NLB Bankës dhe të kërkojnë pagesën e parave të ish-punëtorëve bashkë me kamatën që iu takon.

Begziq ka porositur zëvendëskryeministrin Abazoviq, që do të jetë përgjegjës nëse “kushdo dërgon sigurim privat, polici apo ushtri për të provokuar ndonjë konflikt”.

“Në mesin e punëtorëve janë babai dhe nëna ime. Unë jam i gatshëm të luftoj për ta e edhe më i gatshëm të jap jetën për ata”, tha Begziq.

Kompania “Primorka” ka qenë një prej bartësve të zhvillimit të Komunës së Tivarit.

Gjatë periudhës transicionale punëtorët kanë mbetur pa punë me paga të papaguara dhe programin e papaguar social.

Qeveria e Malit të Zi më 1 qershor 2010 ka dhënë garanci prej 4 milionë eurosh për kredi prej 14.4 milionë euro për kompaninë “Melgonija Primorka”.

Për kredi ishte ofruar e gjithë prona e kompanisë.

Nga kjo kredi punëtorët nuk janë paguar kurrë ndonëse kredia i dedikohej pagesës së pagave të mbetura, lidhjes së vjetëve të punës, krijimit të programit social dhe obligimit ndaj furnizuesve.

Prokuroria Speciale e Malit të Zi pati nisur hetime për keqpërdorime në kompani dhe ka arrestuar 12 persona të dyshuar të cilët me kushte të volitshme kishin blerë pronën e kompanisë derisa ajo ishte në falimentim, madje me kredinë të cilën e financoi banka e caktuar.

Të arrestuarit madje dyshohen se në mënyrë të pavërtetë kanë treguar gjendjen dhe rezultatet e punës së kompanisë, sikurse edhe planin që kredia do të përdoret për ruajtjen e prodhimit në kompani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme