Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale B.XH., ish- zyrtar i gjendjes civile në komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit Mars të vitit 2019 në Ferizaj, si person zyrtar, konkretisht zyrtar i Lartë në Zyrën e Gjendjes Civile në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Gjendjen Civile numër 04/L-003, personin M.K., shtetas turk, e ka regjistruar në sistemin elektronik të Gjendjes Civile në Komunë e Ferizajt, duke i mundësuar që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe patentë shofer, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 23 Prill 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.