Eugen Cakolli nga DnV e ka quajtur paradoksale humbjen e mandatit të Ivan Todosijeviqit si anëtar i kuvendit komunal në Zveçan përderisa i njëjti është zyrtarisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe.
KQZ-ja ia ka hequr mandatin e anëtarit të kuvendit komunal të Zveçanit Ivan Todosijeviqit, pasi i njëjti ka dënim të formës së prerë me burgim prej dy vitesh por ai vazhdon të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Është paradoksale se si Ivan Todosijeviq nga Lista Serbe sot ka humbur mandatin si anëtar i zgjedhur i kuvendit komunal të Zveçanit, për shkak të dënimit të formës së prerë me burgim prej dy vitesh, e në anën tjetër ai vijon të jetë zyrtarisht ende deputet i Kuvendit të Kosovës – si rezultat i mungesës së ndërveprimit institucional mes Kryetarit të Kuvendit, Presidentes dhe KQZ-së për zëvendësimin e tij. Sipas kësaj logjike, nuk mund të jesh anëtar i kuvendit komunal kur je i dënuar, por si i tillë mund të jesh deputet në institucionin më të lartë vendimmarrës në vend”, ka shkruar Cakolli.
Ai e ka quajtur të papranueshme një gjë të tillë.
“Kjo është e papranueshme dhe, siç ka konstatuar më parë Gjykata Kushtetuese, sërish shpërfaqë të meta serioze në garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të veprimtarisë parlamentare”, ka shkruar ai.