Këto dite po dëgjojmë premtime për rritje enorme të pagave, zgjerim të skemave sociale e pensionale, rritje të luksit përmes mallrave e shërbimeve.
Të gjitha këto rritje po proklamohen ne një shtet ku rritja ekonomike reale është rreth 4% në një bazë shumë të ulët të zhvillimit aktual ekonomik, ku eksportet mbulojnë vetëm 14% te importeve, ku niveli i papunësisë është mbi 31%; në një vend ku shpenzimet publike janë planifikuar në 2.1 miliard euro e ku GDP-ja është vetëm 6.8 miliard euro; në një vend ku ka vetëm rreth 335,000 të punësuar e ku përfituesit direkt nga buxheti i shteti janë rreth 480,000 individ (përmes pagave, ndihmave, skemave pensionale etj).
Në një vend ku IHD, vitin e kaluar ishin vetëm 280 milion euro; në një vend ku privatizimet janë përdorur për interesa personale e jo të zhvillimit ekonomik, ku nuk gjënë asnjë korporate të madhe e të qëndrueshme ekonomike në sektorin privat.
Askush nuk po përgjigjet nga vijnë këto mjete për këtë rritje të pambuluara as nga rritja ekonomike, as nga rritja e punësimit, as nga rritja e të hyrave publike. Përgjigja është e qartë, këto rritje vijnë në rend të parë nga zvogëlimi i investimeve publike, nga rritja e borxhit publik i cili përdoret indirekt për përfitime aktuale e jo zhvillim ekonomik, pra në fund të fundit nga zvogëlimi i perspektivës për zhvillim dhe në kurriz të gjeneratës së re.
Një koncept i tillë fatkeq mund të zhvillohet vetëm në Kosovë sepse logjika që është instaluar është që merr sot krejt çka mundesh sepse nesër nuk ke çfarë të marrësh e që tregon fakti se sot vlerësohet ma shume që një të punësuari t’i rritet paga vetëm për 20-30 euro se sa te hapet perspektiva për punësim të rinis në të ardhmen.
Me një fjali pasi paraja nuk flet, ne po veprojmë me të sipas dëshirave momentale e personale e jo të rritjes së perspektives për rininë tonë, e cila me gjithë problemet që ka është dhe mbetet edhe pak vite kapitali ma i rëndësishëm për zhvillim ekonomik.
Në të kundërtën ky kapital do të tretet e bashkë me të edhe perspektiva e Kosovës sepse e kemi të garantuar që me këto politika të mbrapshta ekonomike do të jemi shteti më i varfër në Evrope edhe për nja 100 vite nga sot.
(Autori ka qenë për disa mandate zv.ministër i Financave dhe pak kohë ka ushtruar dhe detyrën e ministrit të MF-së)