Paralajmërimi i Contes: BE-ja mund të shembet shkaku i virusit

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian rrezikon të “shembet” si projekt, shkaku i krizës së koronavirusit.

Duke folur për BBC-në, Conte ka shtuar se BE-ja duhet të veprojë në mënyrë adekuate dhe të koordinuar, për t’i ndihmuar shtetet e goditura më së rëndi nga virusi. Ai ka thënë po ashtu se blloku evropian duhet të përballet me sfidën, të cilën ai e quajti si testin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore.

Këto deklarata Conte i dha për BBC-në, në intervistën e tij të parë që nga shpërthimi i pandemisë në Itali, shtatë javë më parë. Ai po fliste ndërsa Italia dhe disa shtete evropiane po tentonin që t’i bindnin të tjerat në çështjen e njohur si “lidhjet korona” – për të ndarë borxhin me të gjitha shtetet anëtare që do të ishin të gatshme t’i shlyenin. Ishte Holanda ajo që e ka kundërshtuar idenë, duke çuar drejt një përplasjeje mes ministrave të financave në eurozonë.

Kryeministri italian ka thënë të enjten se liderët e Evropës ndodhen përballë historisë dhe se ky është një rast, të cilin ata nuk mund ta humbin, transmeton KOHA.

“Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i dhënë jetë të re projektit evropian, rreziku për dështim është real”, ka thënë Conte.

Numri i të infektuarve në Itali ka vazhduar të bjerë – shifrat e fundit tregojnë se rastet pozitive nga dita e kaluar janë rritur për 1 për qind. Dy javë më parë, rritja ishte 7 për qind. Edhe numri i vdekjeve ka nisur të bjerë. Nga 919 të vdekur para dy javësh, gjatë 24 orëve të fundit pati vetëm 542. Por Conte ka paralajmëruar se Italia nuk mund të ulë nivelin e kujdesit dhe se izolimi kombëtar i nisur më 9 mars mund të lehtësohet gradualisht.

“Duhet të zgjedhim sektorët që mund ta fillojnë aktivitetin. Nëse shkencëtarët e konfirmojnë, nga fundi i muajit prill mund të fillojmë me lehtësimin e disa masave”, ka thënë ai.

Contes i është rritur popullariteti shkaku i mënyrës së menaxhimit të krizës nga qeveria e tij. Në një sondazh të fundit, të publikuar nga “Demos”, përkrahja për të është rritur nga 46 për qind në 71 për qind. Por frenimi i krizës dhe zbatimi i masave fillimisht ishin të ngadalshme.

Në fillim ai u rezistoi thirrjeve të disa politikanëve në Lombardi, rajonit verior të goditur më së keqi nga virusi, që të vendoste masat e rrepta më shpejt. Kur një delegacion kinez vizitoi Milanon në mesin e muajit maj, ata kanë thënë se shtetit i mungoi izolimi i menjëhershëm.

Por kryeministri e mbrojti vendimin e qeverisë së tij.

“Po të ktheheshim prapë në atë moment, njëjtë do të veproja”, ka thënë Conte. “Kemi një sistem ndryshe prej Kinës. Kufizimi i lirive kushtetuese ishte vendim kritik, të cilin është dashur ta analizonim me kujdes. Po të vendosja izolimin apo të limitoja të drejtat kushtetuese që prej fillimit, kur ishin rastet e para, njerëzit do të më merrnin për të çmendur”, ka shtuar kryeministri italian. Italia ka deklaruar se një prej arsyeve prapa numrit të madh të rasteve të konfirmuara është se ka bërë më shumë teste sesa vendet e tjera perëndimore. Derisa Britania tani mesatarisht teston 14 mijë persona në ditë, niveli i testimeve në Itali është dyfish më i lartë. Të enjten ka kryer më shumë se 50 mijë teste.

Pos vdekjeve e infektimeve, Italia është goditur edhe nga vdekja e mjekëve. Aty janë konfirmuar gati 100 mjekë të vdekur. Si rrjedhojë e kësaj, shtetit evropian në ndihmë i kanë dalë Kina, Kuba dhe Rusia, të cilat kanë dërguar ekipe dhe pajisje mjekësore. Moska e ka shfrytëzuar këtë iniciativë për marrëdhëniet publike, duke shkruar mesazhin: “Nga Rusia me dashuri” në aeroplanin e nisur me pajisje drejt Italisë. Televizioni shtetëror rus ka transmetuar një pamje të një italiani që zëvendëson flamurin e BE-së me atë të Rusisë. I pyetur nëse ndihma e Rusisë për Italinë kishte të bashkëngjitura edhe kushte, përfshirë edhe atë që Qeveria italiane të përkrahë heqjen e sanksioneve evropiane ndaj Moskës, Conte është përgjigjur prerazi.

“Një insinuatë e tillë më fyen. Është fyerje edhe për Qeverinë italiane, gjithashtu edhe për Vladimir Putinin që as nuk ka ëndërruar për përdorimin e një situate të tillë”, ka thënë Conte.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme