Paralajmërimi i Kurtit për rritje të pagave, Sefaj: Hajgare e radhës e qeverisë Kurti

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 15:30 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë Ali Sefaj, ka thënë për Ekonomia Online se paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës në sektorin publik është një “hajgare e radhës”, pasi sipas tij, kjo është rritje e vogël karshi rritjes së inflacionit dhe çmimeve të produkteve esenciale.

Ai ka thënë se edhe rritja e koeficienteve të prezantuara të martë nga ana e qeverisë është një huqje e radhës e saj, pasi sipas tij, rritja e koeficienteve nuk mund të bëhet me Ligjin për Buxhetin por duhet të ndryshoj Ligji për Pagat në sektorin publik.

“Në radhë të parë kjo është një hajgare e radhës, nëse e shihni në aspektin monetar rritja është aq e vogël sa ka minimalisht impakt karshi inflacionit në shportën e familjes së shërbyesve publik. Vlera prej 50 euro, apo 100 euro është shumë e vogël, nëse e përkthen në rritje të koeficienti i bie që koeficienti në janar të jetë 118 apo 119 euro, nga korriku parashihet që të jetë 127 apo 128 euro. Për mua është e habitshme se tha ne i kemi rrit koeficiente nga 5.5 në 6.5 kjo është edhe një huqje e radhës për arsye se kjo rritja e koeficienteve nuk mund të bëhet me ligjin për buxhetin por duhet të ndryshoj ligji për pagat në sektorin publik. Ndërsa me Ligjin për Buxhetin mund të ndryshoj vetëm vlera e koeficientit”, ka thënë ai.

Sefaj ka thënë se as vlera prej 150 e koeficientit nuk është e mjaftueshme.

“Rritja e pagës duhet të bëhet në bazë të inflacionit, rritjes ekonomike, të behet në bazë të disa faktorëve, mirëpo qeveria nuk e ka marr për bazë këtë dhe ka dashur që edhe kësaj radhe të shfaqë arrogancë. Vlera e koeficientit me 150 euro nuk mund ta bëjë fuqinë blerëse të pagës tonë me atë që ka qenë para pandemisë apo deri në pandemi”, ka thënë ai.

Të ngjashme