Më 1 qershor me vendim të qeverisë së kaluar, nisi edhe Faza e III-të e masave lehtësuese në luftën ndaj pandemisë COVID-19, ku u rihapën shumë aktivitete biznesore, por edhe kufijtë tokësorë.
Por, Ministria e Shëndetësisë e cila udhëhiqej nga Arben Vitia nuk e pa të arsyeshme hapjen e ushtrimit të aktivitetit të autoshkollave.
Në shenjë revolte Federata e Autoshkollave të Kosovës, më 4 qershor mbajti edhe një protestë, derisa sot ishte i paraparë të mbahej edhe një takim me ministrin e Infrastrukturës nga qeveria Hoti, Arban Abrashi, por edhe kërkesa ndaj këtij të fundit hasi në vesh të shurdhër sipas Federatës.
“Kush hesap nuk po na bën. Ne s’jemi të detyruar ta lajmërojmë ministrin Armend Zemaj, por ministrin tonë. Askush s’na ka kthy përgjigje dhe jemi duke pritë a po na thërrasin sot a jo. Nëse nuk na thërrasin, ne kemi plan ta bëjmë një protestë shumë të madhe, me dal midis rrugës, por jemi në pritje nëse po lajmërohet”.
“Gjendja është katastrofale, kur lëshohen autobusët e lokalet, në autoshkolla vetë i dyti është instruktori në makinë, janë edhe masat mbrojtëse, maskat e dorezat. Kushtet janë 100% për hapjen e autoshkollave, nuk ka asnjë problem. Ne një ditë m’i kthy kandidatët kemi humbje të mëdha, se lëre më që s’kemi punu që 4 muaj thuajse. Na kanë bërë sikur mos të ekzistonim, a janë mbi 400 autoshkolla, e mbi 3000 familje që jetojnë nga kjo punë”, tha për IndeksOnline, kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Afrim Ismajli.
I shqetësuar që tash e 3 muaj kanë mbetur të bllokuar është edhe pronari i Autoshkollës Rona në Prishtinë, Shemsedin Hajdari.
“Të gjitha veprimtaritë e ngjashme që kanë kontakt drejtpërdrejtë me personat e tjerë iu është leju, si mjekëve të dhëmbëve, berberave e fizioterapeutëve, trafiku urban e ndërurban, edhe pse autoshkollat i kanë kushtet, bankat e karriget ku mundet me u mbajt distanca sociale, a nëse ka nevojë edhe në mënyrë indirekte për mbajtjen e ligjeratave, e nëse ka kontakt fizik siç mbajtja e praktikës, janë maskat.
“Ne kemi pritë që të shtunën kur është mbajt mbledhja e qeverisë me na leju pronarëve ushtrimin e aktiviteteve tona, por s’na u është leju. Ka pas humbje të mëdha, pasi që secila autoshkollë ka së paku 5 ose 6 punëtorë. Secila autoshkollë së paku i ka 100 kandidatë, pra është numër shumë i madh, e të njëjtit s’mund të pajisen me patent-shofer”.
Nëse nuk ndërmerret asgjë dhe atyre s’u lejohet së shpejti ushtrimi i veprimtarive, ai tha se pa dëshirë të tyre, do t’i bllokojnë rrugët me automjetet e punës.