Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka pritur sot zëvendësshefin e zyrës se UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.
Sipas njoftimit, palët u pajtuan për krijimin e një lëvizjeje për ndryshime pozitive shoqërore në vend. Për këtë, UP dhe UNICEF do të organizojnë një ngjarje të madhe në bashkëpunim me të gjitha universitetet (publike dhe private) dhe së bashku do të nënshkruajnë një memorandum të mirëkuptimit, për të forcuar rolin e akademisë në arritjen e objektivave të qëndrueshme zhvillimore dhe në lidhjen e universiteteve me komunitetin.
Në këtë takim, rektori Dema potencoi se dëshiron të mbahet mend si një rektor i orientuar drejt zgjidhjes, një udhëheqës i cili jo vetëm që ka kontribuar në përmirësimin e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë, por edhe ka kontribuuar në krijimin e zgjidhjeve për komunitetin. Rektori tha që është shumë i interesuar të krijohet një ambient ku Universiteti do të jetë më i përgjegjshëm ndaj çështjeve të komunitetit dhe në zhvillimin e kulturës së punës vullnetare tek të rinjtë.
Nga ana tjetër, Mugaju tha se lëvizja për ndryshime shoqërore është esenciale për të theksuar rolin e akademisë në arritjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë. Sipas tij, kjo iniciativë do të ndikojë në aktivitete kolektive, të cilat janë të dizajnuara për të sjellë ndryshime shoqërore në vend.