Drejtori i Departamentit të Estradës në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, Afrim Muçiqi tha se kanë marrë premtime nga institucionet se masat anti-Covid do të lirohen.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se kanë pasur takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, nga i cili kanë marrë zotim se kërkesat e tyre do të realizohen.
Ndonëse në protestën e fundit ai kishte paralajmërur se nëse deri të premten nuk lirohen masat, do të dalin në shesh me familje, thotë se u kanë dhënë afat institucioneve, pas takimit të mbajtur.
“Kërkesat tona më në fund kanë hasur në vesh të mirë nëse mundem me thënë ashtu. Takimin e fundit që e kemi pas dje me ministrin i cili na ka pranuar, kemi diskutuar të gjitha kërkesat tona, ka shpreh gatishmërinë e plotë që sot gjatë ditës dhe në mbledhjen e cila do të mbahet sot ose nesër kërkesat tona do të shqyrtohen dhe presim një vendim pozitiv”.
Muçiqi tutje tha se gjendjen epidemiologjike në vend e konsideron normale dhe se nuk duhet as që të diskutohet nëse duhet të hiqet ora policore e të lejohen ahengjet.
“Gjendja epidepiologjike në vendin tonë është normale, është stabile në krahasim me shtetet e rajonit. Ne e kemi qëllimin tonë kryesorë që thjeshtë njerëzit të cilët janë vaksinuar ti kryejnë eventet e tyre me masat e rrepta që ka me i kontrolluar shteti dhe normalisht që me këtë edhe t’i thërrasim të tjerët që janë të padëgjueshëm që nuk kanë marr vaksina, t’i marrin ato vaksina, ta ruajmë shëndetin. Po ta ruajmë shëndetin ekonomik sepse pa shëndet ekonomik është vështirë të mbahen edhe shëndeti publik”, tha ai për Ekonomia Online.
LEXONI EDHE: