Ekspozimi i fëmijëve nga figurat publike në rrjete sociale, i rrezikshëm! Ekspertët thonë se po bëhet për vëmendje
Çdo ditë e më shumë po rritet përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët të cilët po e shohin si mundësi argëtimi. Ekspozimi i fëmijëve e edhe përdorimi i rrjeteve sociale përbën rrezik direkt për ta. Kështu ata kanë qasje të lehtë edhe në përmbajtje të papështatshme online.
Poashtu, ata përmes mediave online mund të bëhen edhe pjesë e bullizmit e abuzumit seksual, shkruan GazetaBlic.
Njerëzit kurrë nuk kanë qenë më të ekspozuar se në ditët e sotme, në këtë rast fëmijët.Një gjë e tillë po ndodhë edhe në Kosovë, ku më të dukshme po e bëjnë figurat publike të cilët kanë arritur deri në atë pikë sa në javën e parë të lindjes po u hapin dhe llogari personale fëmijëve të tyre.
Tuna Sejdi, Majlinda Zeka, Mozzik dhe Loredana, Milot Llalloshi, Çiljet Xhilaga, Vesa Luma dhe Adelina Tahiri janë vetëm disa nga artistët që u kanë hapur llogari personale fëmijëve të tyre në rrjetin sociale Instagram, e disa prej tyre ende shkronjën “A” nuk dijnë ta thonë.
Por, si do të ndikojë kjo në shëndetin psikik dhe zhvillimin e mëvonshëm të tyre?
Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) e konsideron të papranueshëm keqpërdorimin e fëmijëve në rrjete sociale. Madje, ata kërkojnë kujdes në ruajtjen e të dhënave të tyre në internet.
“Keqpëprodimi i fëmijëve në rrjete sociale, por gjithashtu edhe në çfarëdo forme tjetër që manifestohet, është i papranueshëm. Në të njëjtën, kohë keqpërdorimet e fëmijëve në rrjete sociale dëmtojnë ndjeshëm zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës dhe cënojnë integritetin e fëmijës, gjë që mund të lërë gjurmë të konsiderueshme edhe në fazat e mëvonshme të jetës së individit. KOMF gjithnjë ka bërë thirrje që të eliminohen pamje apo imazhe të cilat cenojnë ose dëmtojnë integritetin e fëmijës, apo që shfaqin fëmijën në situata degraduese. Gjithashtu, KOMF i është referuar gjithnjë me kujdes të posaçëm ruajtjes së konfidencialitetit si një parim i rëndësishëm në mbrojtje të fëmijëve, duke bërë thirrje se duhet treguar konsideratë primare ne ruajtjen e të dhënave personale që zbulojnë identitetin e fëmijës. Bazuar në misionin dhe vizionin e koalicionit, KOMF ka treguar një vëmendje të veçantë sidomos në mbrojtjen apo ruajtjen e imazhit dhe identitetit të fëmijëve nga grupe më të cënueshme”, thonë për GazetaBlic.
Jeton Arifi, drejtor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thotë se ligji nuk ua ndalon prindërve të publikojnë të dhëna të fëmijëve të tyre, por ata kanë një rekomandim specifik.
“Fëmijët janë minoren. Nuk kanë zotësi veprimi sipas ligjit deri në moshën 18 vjeçare. Prandaj, si prindi por edhe kujdestari i ligjshëm ka kompetenca të marrë vendime për fëmijën e vet. Megjithatë ne ju rekomandojmë që mos të publikojnë foto pa afekte mjegulluese në fytyrën e fëmijëve sepse në një të ardhme vet fëmijët kanë mundësi me kenë pakënaqësi dhe t’i akuzojnë prindërit. Kështu ne ju rekomandojmë që t’i bëjnë me këto efekte, përveç në profilet e tyre private ku kanë vetëm rrethin e ngushtë shoqërorë. Ligji nuk e ndalon pasi prindërit kanë autorizimin ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk është e rekomandueshme të jenë të hapura”, tha Arifi.
Në aspektin psikologjik, ky fenomen bëhet për të fituar vëmendje. Kështu thotë psikologja e fëmijëve, Mimoza Shahini. Për të, janë disa faktorë që kanë ndikim direkt në këtë dukuri.
“Është e qartë që hapja e llogarive të tilla bëhet thjesht për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe është trend për VIP. Ndikimi i këtij fenomeni është i pastudiuar dhe mendoj që varet nga shumë faktorë si psh. si interpretohet nga prindërit nxjerrja e fotove, cilat janë mesazhet dhe komentet qe shoqerojnë fotot, cili është përceptimi dhe pritjet e publikut me të cilat do të ballafaqohet fëmiu si dhe aftësitë individuale të fëmijës për të përpunuar informacionin që i ofrohet, personaliteti i fëmijës etj”, u shpreh Shahini.
Rrjetet sociale kanë ngritur shqetësim në shumë fusha, sidomos atë të të dhënave personale. Por, kategoria më e ndjeshme mbeten fëmijët nën moshën 18 vjeçare.