Hetuesit nga stacioni policor “Veriu” në Prizren, pas një pune hetimore disaditëshe, kanë arritur që ta identifikojnë e më pas ta arrestojnë të dyshuarin J. Doqaj nga fshati Marmull i Gjakovës, për vjedhjen e së paku dy veturave.
Doqaj dyshohet se në bashkëpunim me një të dyshuar nga Shqipëria, më 12 korrik dhe 19 korrik kanë plaçkitur dy vetura – njërën në Arbanë dhe tjetrën në Piranë të Prizrenit. I dyshuari është arrestuar nga policia në shtëpinë e tij në Marmull pas një bastisje të organizuar nga Policia e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës.
Gjatë bastisjes është sekuestruar një veturë e llojit “Golf” dhe dokumente të veturave të plaçkitura të cilat do t’i kalojnë prokurorisë së shtetit në cilësi të provës materiale.
I dyshuari, në prani të avokatit mbrojtës, e ka pranuar se i kontaktonte pronarët e veturave që ishin në shitje pastaj i mashtronte duke ua marrë çelësat kinse për ta provuar veturën dhe zhdukej në drejtim të panjohur.
Hetuesit thonë se veturat e plaçkitura i dyshuari nga Shqipëria i kalonte kontrabandë andej kufirit.
Pas intervistës është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit. Policia po bën përpjekje për kapjen e të dyshuarit tjetër.