Qysh nga viti i kaluar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte shprehur i bindur se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do të arrihej brenda 2019-s. Se konflikti Kosovë – Serbi do të zgjidhej në mars të këtij viti kishin deklaruar edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e PDK-së. Gjatë muajve të kaluar kishte pasur edhe raportime të atilla ndërkombëtare, të cilat thoshin se marrëveshja do të nënshkruhej gjatë verës, gjegjësisht gjatë muajit qershor të këtij viti. Por asnjë prej këtyre skenarëve nuk pritet të jetësohet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Përkundrazi njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje përmbyllëse.
Sa i përket zgjidhjes finale mes dy vendeve sipas tyre me një zë nuk janë as politikanët në Kosovë, as bashkësia ndërkombëtare, shkruan më tutje “Zëri”.
Ndërkohë përfaqësuesit e partive opozitare janë shprehur të bindur se marrëveshje nuk do të ketë pa u rrëzuar së pari Qeveria dhe pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme.