Me 14 Nëntor, konform ligjit për zgjedhje, do të mbahet edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarëve të 21 komunave do t’u duhet të dalin sërish pranë kutive të votimit, për të vendosur organet qeverisësë komunale për katërvjeçarin e ardhshëm.
Kuptohet, si zakonisht, para raundit të dytë, në opinionin politik fillon edhe diskutimi se kush me kë mund të hyjë koalicion, duke llogaritur tek vendet e treta nëpër komunat respektive, që kanë më tepër elektorat, por që nuk ia dalin ta sigurojnë njërën prej dy pozitave të para.
Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka kontaktuar me dy analistë kosovarë, Shemsi Jashari e Shkodran Ramadani, që kanë dhënë parashikimet e tyre lidhur me verdiktin e datës 14 të muajit të ardhshëm.
Sipas Jasharajt, balotazhi do të jetë kryekëputë një përballje mes partisë në pushtet dhe partive opozitare. Ai ka thënë se mund të ndodhë që të ketë marrëveshje në parim mes partive politike, pra të krijohet një lloji front, por në heshtje, duke mos bërë publike asgjë.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve për nivelin lokal, apo siç njihet balotazhi, ka një të përbashkët në shumicën e komunave, përballjen me Lëvizjën Vetëvendosje të subjekteve opozitare.
Nëse flasim për komunat Prishtinë dhe Podujevë ku LDK përballet me LVV, mendoj se LDK do të kërkojnë mbështetjen e PDK-së, dhe subjekteve tjera për t’u bërë bllok kundër LVV-së, ndërsa në Prizren PDK do ta kërkojë mbështetjen e LDK-së dhe subjekteve tjera.
Duke qenë se bashkëpunimi LDK-PDK mund të shihet si kthim në të shkuarën dhe jo shumë popullor, ndodhë të kemi koalicione të heshtura dhe jo publike, duke krijuar nje front të përbashkët gjithkund, të gjithë kundër LVV-së, pasi ajo vet ka përjashtuar çdo bashkëpunim me partitë e mëdha, LDK-PDK-AAK.
Ka gjasa që të kemi marrëveshje nga niveli qendror që ta mbështesin njëra tjetrën aty ku nuk janë në garë për të mos lejuar që asnjë komunë të merret nga LVV-ja”, tha fillimisht ia.
Ndërkaq, sa i përket vendeve të treta, ai thotë se subjektet që kanë humbur garën nuk mund ta orientojnë elektoratin sipas qefit të tyre, prandaj duhet të lihen të lirë të zgjedhin ofertën që e pëlqejnë më shumë.
“Personalisht do të doja të mos kemi koalicione në nivel lokal, por të garojnë kandidatët vetëm dhe ai që ka mbështetjen më të madhe si kandidat, pra të mos varet nga subjektet që do ta kushtëzonin agjendën e tij.
Edhe ashtu besoj se subjektet që kanë humbur garën, nuk mund të orientojnë elektoratin sipas qefit të tyre, prandaj duhet të lihen të lirë të zgjedhin ofertën që e pelqejnë më shumë”, përfundoi Jasharaj për GazetaBlic.
Në anën tjetër, Shkodran Ramadani, mendon se koalicioni mes partive në komunat e vogla është më lehtë i arritshëm, pasi sipas tyre, partitë njihen më shumë me njëra-tjetrën dhe mund të arrijnë më shpejt te gjuha e përbashkët. Tutje, ai shtoi se nëse PDK-ja e LDK-ja do të dinë ta gjejnë gjuhën e përbashkët dhe t’i tejkalojnë dallimet, mund ta mposhtin VV-në.
“Koalicionet zakonisht ndodhin në komunat më të vogla, ku është më i lehtë bashkëpunimi mes partive që njihen mirë në nivel lokal dhe ku zgjedhjet nacionale nuk kanë shumë rëndësi. Sa i përket komunave të mëdha, ka më pak gjasa që të nënshkruhen koalicione, siç është rasti në Prishtinë apo Prizren. Në këto zgjedhje, janë krijuar shanse që të krijohen koalicione mes partive opozitare, mes LDK-së e PDK-së, pasi këto dyja në secilën komunë përballen me Lëvizjen Vetëvendosje, andaj nëse dinë t’i tejkalojnë dallimet dhe të bashkëpunojnë siç duhet, mund ta mposhtin VV-në”, tha fillimisht Ramadani për GazetaBlic.
Megjithatë, ai ka një parashikim interesant për të ardhmen e Uran Ismailit dhe vendimin e partisë së tij për ta mbështetur ndonjërin prej kandidatëve në Prishtinë.
“Por, kjo nuk është punë e kryer, pasi ta zëmë, në Prishtinë, PDK-ja ka një kandidat që synon të investojë në të ardhmen në Prishtinë dhe nëse e bën atë mbështetës të ndonjë kandidati, do t’i ulet reputacioni, prandaj e shoh si vështirë të arritshëm koalicionin LDK-PDK në kryeqytet. LDK mund të bëjë marrëveshje me AAK-në, ose pse jo edhe me AKR-në.
Njëjtë edhe në Prizren do të jetë gati i pamundur një koalicion mes këtyre dy partive. Kjo pasi Anton Quni njihet si kundërshtar i rreptë i PDK-së, por kjo nuk do të thotë se votuesi nuk do ta mbështesë partinë tjetër. Një koalicion i mundshëm është ai mes Nismës së Zafir Berishës dhe PDK-së.
Kurse, Gjilani e Podujeva janë komuna ku koalicioni mes Lidhjes Demokratike e Partisë Demokratike është më i arritshëm. Kjo pasi, në këto dy komuna PDK-ja nuk është lojtar shumë serioz, kurse numri i votave që ka mund ta përcaktojë fituesin. Ndërkaq, nëse bëhet kjo, atëherë LDK-ja mund ta përkrahë PDK-në si në Shtime, Malishevë e gjetiu”, përfundoi ai