Parashikimi i një prej bankave më të mëdha në botë: Bitcoin mund të arrijë vlerën e 100 mijë dollarëve

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Çmimi i Bitcoin ka pësuar ulje të ndjeshme në muajt e fundit, por një prej bankave më të mëdha në botë, “Goldman Sachs”, parashikon që vlera e kriptomonedhës do të rritet ndjeshëm në vitet që vijnë.

Çmimi për një Bitcoin ka rënë në 43 mijë dollarë, pasi arriti pikun në nëntor me 69 mijë dollarë. Por brenda pesë viteve të ardhshme, ky çmim mund të shkojë deri në 100 mijë dollarë, thuhet në një raport të bankës.

“Mendojnë se pjesa e tregut që do të zërë Bitcoin do të rritet ndjeshëm, pasi do të shndërrohet në një aset digjital”, tha Zach Pandl, drejtori i strategjisë për forex, normat e interesit dhe tregjet e reja në “Goldman Sachs”. Madje ai parashikon në raport se Bitcoin do të fitojë terren edhe ndaj arit, sa i përket pjesës së tregut të aseteve ku njerëzit do të investojnë paratë e tyre.

Gjithsesi, ky mbetet një parashikim modest për vlerën e Bitcoin. Eskpertë të kriptovalutave kanë parashikuar se vlera e Bitcoin, si kriptomonedha më e fuqishme, mund të arrijë vlerën e disa miliona dollarëve. Nga ana tjetër, në mes të dhjetorit, zv.guvernatori i Bankës së Anglisë, Sir Jon Cunliffe, tha për BBC se shumë shpejt kriptomonedha mund të jetë fare e pavlerë dhe se njerëzit që investojnë në kriptovaluta të tilla duhet të “jenë gati për të humbur gjithçka”.

Sipas të dhënave të “Blockchain.com”, një prej faqeve më të njohura që merret me tregtimin e kriptomonedhave, deri në dhjetor 2021, ishin zbuluar 90% e sasisë së Bitcoin. Në total, mendohet që do të ketë vetëm 21 milionë kriptomonedha të tilla, dhe më pas procesi i njohur si “mining” do të përfundojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme