Njëzet prokurorë që kanë bërë shkelje në kryerjen e detyrës kanë shpëtuar nga ndëshkimi, për shkak të parashkrimit të rasteve.
Vetëm ndaj gjashtë prokurorëve Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shqiptuar masa disiplinore.
Rrethanat e këtyre rasteve, arsyet e parashkrimit dhe identiteti i prokurorëve nuk janë bërë publikë nga Këshilli me gjithë insistimin e “Kohës Ditore”. Për këtë pjesë ata kanë zgjedhur të heshtin.
Tri ditë rresht gazeta ka kërkuar nga Këshilli që t’ia ofrojë dëshmitë e vendimeve që janë nxjerrë brenda këtij viti krahas hetimeve për shkeljet e prokurorëve, të cilat janë kryer nga Zyra e Prokurorit Disiplinor dhe janë konstatuar nga Komisioni Disiplinor.