Organizata “Konfindustria” shpreh shqetësimin për dukurinë e shtimit të daljes jashtë vendit të parave të shqiptarëve, duke e vlerësuar si kërcënimin kryesor në afatgjatë për ekonominë kombëtare.
Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i “Konfindustria”, shprehet se mbështetur në të dhënat zyrtare, vetëm nga sektori bankar në vitin 2016, janë depozituar në institucionet financiare jashtë vendit afërsisht 400 milion dollarë të depozitave të shqiptarëve, duke arritur në një shumë të përgjithshme prej 700 milion euro përfshi kreditimin e projekteve jashtë vendit, që përbën mbi 6% të PPB.
“Në shifrat e mësipërme nuk përfshihen flukset e parave, që dalin jashtë vendit në mënyra joligjore. Gjithçka, më sipër ndodh kur nevoja e ekonomisë vendore për investime është e madhe dhe kreditimi i bizneseve gjendet prej vitesh në nivelet më të ulëta historike”, ka thënë Buxhuku.
“Konfindustria” vlerëson se ritmi i lartë dhe i vazhdueshëm i largimit të kapitaleve shqiptare shoqëruar për vitin 2017 edhe me lulëzimin e fenomenit “fajde” huamarrjes jashtë sistemit bankar, pranuar së fundmi edhe nga Banka e Shqipërisë, është shenjë e qartë e dobësive të thella strukturore të mënyrës sesi është ndërtuar sistemi ekonomik dhe financiar i vendit, institucioneve rregullatore tërësisht jofunksionale dhe dështimit të plotë të politikave zhvillimore.