Takimi i Parisit, më 1 korrik, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të marrin pjesë autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë, do të definojë fatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të sqarojë se në çfarë formati do të vazhdojë dialogu apo nëse do të vazhdojë fare, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë.
Sipas tyre, një e ashtuquajtur ‘diplomaci fluturuese’ do t’i vizitojë përgjatë këtij muaji Prishtinën dhe Beogradin dhe tashmë ekzistojnë tendencat që të krijohen parakushtet në mënyrë që takimi i Parisit të jetë i suksesshëm.
Por, deklaratat, të cilat kanë ardhur nga autoritetet e të dyja vendeve, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, kanë hedhur dyshimet nëse takimi i Parisit do të ketë sukses.
Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës tashmë i është kërkuar në mënyrë eksplicite që të pezullohet taksa prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë, ndërkaq, kësaj të fundit i është kërkuar ndryshimi i sjelljes karshi Kosovës.
Sipas tij, pas takimit të Parisit, në rast se ai ndodhë, do të shihet nëse do të rifillojë procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve, ndonëse siç thotë ai, tashmë ekzistojnë dyshime se dialogu mund të vazhdojë në rast se takimi i Parisit dështon.
“Nëse zonja Merkel dhe presidenti Macron nuk arrijnë ta rinisin këtë proces, nuk e besoj që BE-ja do të gjejë fuqinë për ta rifilluar këtë dialog në një fazë të mëvonshme. Zonja Merkel dhe presidenti Macron, do të përfshiheshin në këtë formë të samitit, vetëm nëse ka një vullnet shumë intensiv dhe shumë përmbajtjesor për një marrëveshje finale”.
“Për këtë nuk janë parakushtet dhe nuk po shoh se si do të fillojë kjo. Meqë kjo nuk po ndodhë, atëherë do të mbetet të provohet nëse eventualisht palët mund t’i kthehen formës së mëhershme të dialogut, por diçka të tillë, nuk e besoj që aq më pak Kosova, por as Serbia, nuk janë të gatshme”, thotë Rashiti.