Duke marrë shkas nga protestat në Francë nga jelekverdhët, deputetët e Parlamentit Evropian votuan një rezolutë në datën 14 shkurt, e cila dënon përdorimin e tepërt të forcës nga ana e policisë ndaj protestuesve, veçanërisht përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës.
Në një artikull të saj, gazeta franceze ‘Le Monde’ shkruan se deputetët e PE-së dënuan përdorimin nga policia të gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës ndaj protestuesve. Rezoluta u votua me 438 vota pro, 78 kundër dhe 87 abstenime.
Rezoluta ‘Mbi të drejtën për protesta paqësore dhe përdorimin e përpjesëtuar të forcës’ dënon në mënyrë të veçantë ‘përdorimin e disa llojeve të armëve nga ana e policisë kundër protestuesve paqësorë, si ato me plumba me goditje kinetike (plumba gome) dhe të gazit lotsjellës,’ si dhe ‘ndërhyrjet e dhunshme dhe të shpërpjesëtuara nga ana e autoriteteve publike gjatë protestave dhe demonstratave paqësore.’
165 deputetët e majtë dhe të gjelbër që nuk votuan pro thanë se rezoluta duhet të dënonte më ashpër përdorimin e dhunës dhe të gazit lotsjellës nga ana e policisë.
Rezoluta i bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të evitojnë forcën ndaj protestuesve dhe ta përdorin sa më pak të jetë e mundur. /lapsi.al