Parlamenti Evropian miraton rezolutë për shkeljet e të drejtave të njeriut në Serbi

Prishtinë | 18 Dhj 2021 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për shkelje të të drejtave e njeriut në Serbi konkretisht trafikimin e qenieve njerëzore të rreth 500 vietnamezëve që punojnë në një fabrikë kineze në Zrenjanin të Serbisë veriore. Rezolutën e kanë përkrahur 589 deputetë të Parlamentit Evropian, 53 prej tyre e kanë kundërshtuar dhe 44 kanë abstenuar.

Eurodeputetët kanë shprehur shqetësim edhe për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi.

“Puna e detyruar në fabrikën Linglong dhe protesta mjedisore në Serbi. Parlamenti shpreh shqetësim të thellë për dyshimet për punën e detyruar, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe trafikimin e qenieve njerëzore të rreth 500 vietnamezëve në një kantier ndërtimi të fabrikës Linglong Tyre në pronësi kineze në Zrenjanin, Serbinë veriore. U kërkohet autoriteteve serbe që të hetojnë rastin me kujdes dhe të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore të njeriut në fabrikë, veçanërisht të drejtat e punës, për t’i ofruar BE-së rezultatet e hetimeve të saj dhe për t’i kërkuar autorët përgjegjës.

Në rezolutën e PE-së thuhet poashtu se Serbia po i jep industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje edhe pse është vend kandidat për në BE.

“Duke vënë në dukje se Serbia po i jep Kinës dhe industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje ligjore në vend, edhe kur këto janë në kundërshtim me ligjin e BE-së, eurodeputetët shprehin shqetësimin e tyre për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Ata i bëjnë thirrje Serbisë – si një vend kandidat për në BE – të përmirësojë përafrimin me ligjin e punës të BE dhe të pajtohet me konventat përkatëse të Organizatës Ndërkombëtare të Punës që ajo ka ratifikuar”, thuhet në rezolutën e miratuar të Parlamentit Evropian.

Eurodeputetët janë shprehur të shqetësuar me grupet e huliganëve dhe të dhunës policore në Serbi ndaj protestuesve atje.

“Për më tepër, eurodeputetët janë shumë të shqetësuar për dhunën në rritje nga grupet ekstremiste dhe huligane kundër demonstratave paqësore mjedisore në vend. Protesta të gjera janë raportuar së fundi në mbarë Serbinë kundër prapavijës së miratimit të nxituar të dy ligjeve, njëri nga të cilët shihet si hapje e rrugës për projektet e huaja investuese kundërthënëse, me ndikim të rëndë ndaj mjedisit.”, thuhet në rezolutën e PE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme