Parlamenti kroat miratoi qeverinë e re të koalicionit të djathtë të kryeministrit Andrej Plenkoviç.
”Të premten në mbrëmje, 79 nga 151 deputetë të zgjedhur votuan në favor të kabinetit, 61 votuan kundër dhe një abstenoi”, njoftoi televizioni kroat HRT.
Plenkoviç, i cili është gjithashtu kryetar i HDZ-së (Bashkësia Demokratike Kroate) konservatore, u bë kryeministër për të tretën herë radhazi.
Për herë të parë, lëvizja ultra e djathtë e ekstremit të djathtë dhe euroskeptike ”Atdheu” (PD) e kryebashkiakut të Vukovarit, Ivan Penava, është pjesë e një qeverie në Zagreb.
I janë dhënë tre nga 18 ministritë, përfshirë një portofol të sapokrijuar për politikën e popullsisë, thënë ndryshe zhvillimi i strategjive për të luftuar rënien e popullsisë, të shkaktuar nga emigracioni dhe lindshmëria e ulët.
HDZ ishte partia më e fortë në zgjedhjet parlamentare në prill, por nuk arriti një shumicë absolute, duke fituar vetëm 61 vende.
Kjo çoi në javë pasigurie politike dhe spekulime në rritje se Plenkoviç, i cili është kryeministër që nga viti 2016, ishte gati të punonte me lëvizjen ”Atdheu”, që mori 14 vende, për të siguruar një mandat të tretë.
Lëvizja ”Atdheu” ka tërhequr vëmendjen për retorikën e saj antiserbe.
Bastionet e saj janë në rajonin e Sllavonisë Lindore, i cili kufizohet me Serbinë dhe u prek rëndë gjatë luftës së Kroacisë në vitin 1991 për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Sot, vetëm 4% e qytetarëve kroatë janë serbë etnikë./ atsh