Partia Demokratike e Kosovës dhe sfidat e saj sot

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 11:21 | Nga Ismail Syla
  1. Slogani i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 ishte “Rimëkëmbje”. Si frymë gjenerale, Kosova, si asnjëherë më parë, kishte nevojë për ngritje në këmbë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Rezultati zgjedhor tregoi se PDK-ja doli me rezultatin më të dobët në historinë e saj, me 17 për qind dhe gjithsej 19 përfaqësues në Kuvendin e Kosovës. Pra, PDK-ja që synonte ta rimëkëmbë Kosovën në të gjitha fushat, mori një leksion të vlefshëm. Ajo duhet ta rimëkëmbë vetveten, duhet ta ngrit përsëri në këmbë pas rënies, gjunjëzimit.

2.Në librin “Të bësh luftë moderne” gjenerali Wesley K. Clark citon një thënie të një gjenerali tjetër amerikan Douglas MacArthur (1880 – 1964) që oficerëve amerikanë gjatë shkollimit dhe në jetë iu shërben si motiv dhe udhëzim: “Ekziston një porosi e vetme, një ide e vetme, e shkruar me të kuqe në çdo parim, që nga Australia e deri në Tokio: nuk ekziston asnjë zëvendësim për fitoren.” Pra, objektivi i çdo veprimi duhet të jetë realizimi i qëllimit, arritja e fitores. Fitorja e ka emrin fitore. Pra, humbja e çfarëdo lloji dhe e çfarëdo shkalle kurrë nuk është fitore. PDK-ja ka përjetuar shijen e humbjes, pra nuk e ka arritur fitoren, dhe tash dy herë radhazi, më 6 tetor 2019 dhe 14 shkurt 2021 përjetoi humbjen.

3.Ndonëse humbja nuk është kurrë fitore, në rastin e PDK-së duhet të rikujtojmë humbjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2000, humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 si dhe humbjen e zgjedhjeve të vitit 2004. Prej vitit 2004 e deri te fitorja e zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007 janë tri vjet gjatë të cilave u përpunua filozofia dhe strategjia e fitores së PDK-së, edhe e zgjedhjeve lokale edhe e atyre parlamentare. Kjo fitore nuk mund të shpjegohet me ndarjen e LDK-së me fraksionin e LDD-së. Edhe kur LDD rikthehet në LDK, PDK-ja deri në zgjedhjet e vitit 2014 dilte forca e parë politike. Për t’u bërë parti fituese, PDK-ja dhe lideri i saj Hashim Thaçi u detyruan ta ka kuptojnë një leksion të rëndësishëm – domosdoshmërinë e hapjes së partisë, futjen e mendimit dhe gjakut të ri, që në leksikun dhe terminologjinë tonë politike hyri si sintagmë: “prurjet e reja”.

4.Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, me pikë-shikimin nga lart, duke parë kontekstin e përgjithshëm e hapi PDK-në me figura të reja, me emra që mund të bëheshin pjesë e “tregut” politik. Struktura konservatore dhe rezistuese ndaj ndryshimit pati reagim, por jo të suksesshëm. Pati zëra që përmes përshkrimit të kritereve të caktuara (bie fjala: duhet të kesh më shumë se tri ose katër vjet anëtarësim partiak) t’u bëhej pengesë mundësia e integrimit të prurjeve të reja në strukturat e larta të PDK-së, ose të pengohet hyrja e emrave të rinj në listën e deputetëve në PDK-së. Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi i eliminonte këto pengesa. Në këtë periudhë funksionoi edhe Kabineti i Qeverisjes së mirë (qeveria hije) që demonstroi reagime, energji, kritika dhe vizione më mbresëlënëse se sa kabineti zyrtar i Qeverisë së atëhershme të Kosovës. Përpos prurjeve, lideri i PDK-së, duke lexuar drejt rrjedhat e jetës politike dhe ekonomike në Kosovë, ofroi një program me premtime të qarta elektorale. Premtimet ishin aq të vizuelizuara, sa u kthyen në të besueshme. PDK-ja bindshëm u perceptua si forcë në ardhje, forcë e ndryshimit. Asaj iu besuan dy format e pushtetit, shumica e komunave u drejtua nga PDK-ja dhe qeveria qendrore, fillimisht me LDK-në.

5.PDK-ja si parti në pushtet tregoi kulturën shtet-formuese. Ajo qe në krye të procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2018. Në kohën e qeverisjes së PDK-së ndodhi modernizimi i infrastrukturës rrugore të Kosovës, ngritja e kapaciteteve të infrastrukturës shkollore, themelimi i institucioneve që rrumbullakonin shtetësinë e Kosovës, ngritja e pagave, anëtarësimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare etj. Këto të arritura janë trashëgimi e pakontestueshme dhe e paharrueshme e PDK-së dhe partnerëve të saj. Brenda një periudhe dhjetë vjeçare PDK-ja qe parti në pozitë. Brenda kësaj periudhe ka të arritura historike, materiale, të prekshme, ashtu siç ka edhe të meta, ngecje dhe vendnumërim, me dhe pa fajin e saj. Të qenit gjatë në pushtet, krahas sukseseve, ecën paralel edhe me dukurinë e vetë – konsumimit dhe rënies në brazdën e rutinës. Si gjithë shoqëria njerëzore, edhe jona kërkon vazhdimisht rifreskim, impulse gjallërimi, ide të reja, plane, projekte, perspektivë dhe horizonte të reja.

6.Dukuria e konsumimit dhe pagimi i faturës së të qenit gjatë në pushtet për PDK-në fillon shumë vërejtshëm më krijimin e bllokut VLAN, në vitin 2014. Prej krijimit të VLAN-t Kosova ka hyrë në rrethin vicioz të vendnumërimit dhe të degradimit si shtet dhe politikë. Nga ky grupim joparimor Lëvizja Vetëvendosje nga një organizim pa forcë të madhe dhe me logjikën anti –pushtet deri atëherë, u pasurua me “krahë ushtarakë” me përkrahjen e liderëve të AAK-së dhe NISMA –s. LV u bë forcë parlamentare arrogante, dhe me stilin e saj të veprimit, me mjetet nga më të ndryshme (gurë, tym, protesta etj.) arriti të konsolidohet si subjekt që më në fund, më 6 tetor 2019 edhe të bëhet forca e parë politike. Rrëzimi i qeverisë së LV-së me 84 vota në mars 2020 dhe herezia e listës Guxo, për çudi, për befasi social – politike, krijoi një situatë dhe rezultat të ri politik më 14 shkurt 2021.

7.PDK-ja ka hyrë në një fazë të re politike që nga 5 nëntori 2020. Arrestimi i kreut të saj nuk mbeti pa pasoja. Pasoja e parë u vërejt pas katër muajsh, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021. Është e parëndësishëm hamendja se si do të ishte rezultati zgjedhor i PDK-së po të ishin të pa arrestuar kryetari Kadri Veseli dhe ish kryetari i parë i saj, Hashim Thaçi. Realiteti është ky që është. PDK-ja hyri në fushatë me ushtruesin e detyrës, z. Enver Hoxhaj. Që nga viti 2004 z. Hoxhaj është i familjarizuar me filozofinë dhe strukturat e PDK-së. Ai e mori PDK-në në një situatë dhe gjendje të vështirë dhe të ndjeshme. Performansa e tij në fushatë ishte e kuptimshme, moderne dhe pa vërejtje esenciale, përjashto goditjen e liderit të NISMA-s në strofullin e tij elektoral, në Malishevë. Duke qenë ushtrues detyre dhe i vënë shpejt në arenën zgjedhore, z. Hoxhaj nuk mund t’i përshkruhet faji dhe barra e humbjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit 2014. Z. Hoxhaj dhe lidershipi i PDK-së aktualisht është përballë sfidës madhore: Si do të shkojë PDK-ja drejt zgjedhjeve lokale të vjeshtës 2021?

8.Nëse lejohet krahasimi dhe metafora midis gjurit të policit amerikan në qafën e qytetarit me ngjyrë George Floyd dhe pozicionit të çiftit mbretëror britanik princit Harry dhe Meghane Markle si dukuri e ndrydhjes dhe ngufatjes, atëherë le të lejohet edhe krahasimi i fajit të parë biblik, i mëkatit fillestar dhe ndëshkimit me dëbim nga parajsa të Adamit e Evës – me largimin nga pushteti të subjektit politik, pra me daljen nga pozita në opozitë. PDK-ja, ka një rrugë të përshkuar në tri faza, gjë që nuk ndodh në “Bibël”, ku nga parajsa dilet në tokë. PDK ka përshkuar nëpër periudhën fillestare në opozitë, 2001 – 2007, periudhën në pozitë, 2008 – 2019, dhe periudhën e tretë aktualisht, opozitë që nga 6 tetori 2019. Para kësaj situate të re PDK-ja duhet të bëjë vetëqortim dhe të analizojë seriozisht mëkatin fillestar dhe gjithë mëkatet tjera që e çuan deri në këtë shkallë të humbjes.

9.Nëse në paragrafin e pestë janë radhitur meritat fondamentale të PDK-së, në këtë paragraf do të duhej të radhiten mëkatet po aq fondamentale, që çuan në humbjen e PDK-së. Në indeksin dhe listimin e mëkateve dhe gabimeve nuk do t’i fus kurrë akuzat e kampit kundërshtar për gjoja kapjen e shtetit (shprehje e gabuar me konotacion erotik). Për arsye morale, kur PDK është nën një presion dhe me renditje të yjeve jo në anën e saj, nuk do t’i shpreh nga thellësia e mendjes as e zemrës një vistër gabimesh. Por, në mënyrë të përgjithësuar duhet ta them se me shumë veprime ia kemi fyer inteligjencën qytetarëve tanë. E para bastisje dhe i pari dyshim për korrupsion të lartë ndodhi në Ministrinë e Infrastrukturës të drejtuar nga PDK-ja. Po ashtu, shije të hidhur krijuan i ashtuquajturi rasti Bllaca dhe afera “Pronto”, që pavarësisht të vërtetës së vërtetë, janë perceptuar si imazh negativ për PDK-në. Disa veprime të PDK-së duhet që t’i shërojë koha, ashtu si disa plagë fiziologjike dhe shpirtërore i shëron qëndrimi mënjanë, zbehja dhe rënia mbi to e pluhurit të harresës. Me disa emërime kuadrosh jo adekuatë në poste publike, (përvoja e parë e disave ka qenë pozita e lartë menaxheriale), me të qëndruarit në pushtet pa fuqi vendimmarrëse (2014 etj.) PDK-ja ka zhgënjyer në masë të madhe qytetarin e Kosovës. Si rezultat i mëkateve të shumta, sot PDK-ja është nxjerrë jashtë pushtetit dhe qëndron në një relacion të shkëputur nga zëri i qytetarit.

10.Si duket PDK-ja tash? Është e lehtë përshkruar situata e PDK-së. Ana më tragjike dhe më delikate e PDK-së është fakti që kreun e saj e ka në burgun e Hagës, krejt padrejtësisht. Prej andej është e pamundur që të jepet kontributi në drejtimin dhe mirëmbajtjen e partisë. Midis këtij fakti dhe jetës së përditshme PDK-ja duhet të reagojë si subjekt politik. Struktura e saj drejtuese aktuale është përballë skrupujve moral dhe barrierave po aq morale. Si të drejtohet PDK-ja në këtë rrethanë të re pa krijuar keqkuptime se në duart e drejtuesve të mbetur nuk ndryshon kursin (drejtimin) dhe diskursin (filozofinë politike) duke lënë përshtypjen se çdo mëvetësi veprimi të mos kuptohet dhe konsiderohet “distancim” nga liderët nën arrest. Si e tillë, PDK-ja e sotme është përballë vetvetes. Si e tillë PDK-ja duhet ta ketë një unitet të qëllimit, një adresë dhe një qendër të vendimmarrjes. Përkundër goditjeve të jashtme vendore e ndërkombëtare, përkundër gabimeve e defekteve ajo duhet të tregojë që ka forcë, vizion dhe qëndrueshmëri. Kështu, PDK-ja duhet të ketë adresë të saktë të suksesit, të lavdisë por edhe të konsekuencave

11.PDK-ja e sotme vetëm kur të ballafaqohet me guxim me vetveten e tregon aftësinë e reformimit dhe rimëkëmbjes. PDK-ja pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 ka kaluar në opozitë e lënduar nga relacioni me elektoratin e gjerë të saj. PDK-ja është shkëputur nga qytetari që disa herë në zgjedhje i dha mbështetje. Në memorien e tij elektorati, por edhe qytetari në përgjithësi i ka regjistruar një nga një gabimet dhe të metat. Koalicionet e gabuara dhe filozofia se me doemos duhet të qëndrosh në pushtet, duke pranuar dhe provuar të gjitha kalkulimet bëjnë që të jesh në pushtet me substancë të tëholluar. Kjo substancë e holluar një ditë të rrëshqet nga duart. PDK-ja duhet t’i afrohet zërit të qytetari të saj, ta dëgjojë, t’i kërkojë falje dhe të dëshmojë se mund të bëhet shpresa e tij. Nëse bëjmë një hap retrospektiv, PDK-ja në periudhën opozitare 2001 – 2007 ka qenë në opozitë, por nuk ka qenë e lënduar në relacion me qytetarin e saj. Ka qenë relacion krenarie dhe dinjiteti. Ndërkaq, sot PDK-ja pas 11 vjet të qenit në pozitë, dinjitetin dhe krenarinë e ka lënduar, si rezultat i braktisjes nga mijëra e mijëra qytetarë.

12.Struktura e sotme drejtuese e PDK-së duhet të jetë e vetëdijshme për leksionin e dobishëm që ia dha elektorati, veçanërisht më 14 shkurt 2021. Nuk është e lehtë as e lavdishme të jesh në krye të një subjekti në rënie dhe thellim gradual të humbjes. Pranimi i një fakti të tillë nuk duhet të kuptohet si shkas për rënie kokash. Përkundrazi. Struktura e sotme drejtuese e PDK-së duhet ta kuptojë se hapi i parë i rimëkëmbjes fillon kur subjekti fillon të hapet për prurje të reja. Të hapet për njerëz të rinj, me vizione, ide, energji të dekadës së tretë të shekullit 21. PDK-ja duhet ta rikthejë filozofinë politike të PDK-së së viteve 2006 – 2007 të adoptuar në rrethana të vitit 2021. Atë filozofi politike që e përdori Edi Rama me platformën e tij të “Rilindjes” , e që partinë e tij të reformuar e solli në pushtet në vitin 2013.

13.PDK-ja duhet të kuptojë se grupet e brendshme të interesit po u lejuan ta konkurrojnë dhe “luftojnë” njëri – tjetrin, mund t’i kënaqin trillet dhe egot e tyre, por atë energji të humbur e të harxhuar kundër njëri – tjetrit e kompensojnë rivalët politikë në dobi të tyre. Lufta e brezave, të rinjtë kundër të vjetërve, demonizimi i anasjelltë i brezave vetëm sa e dëmton PDK-në nga brenda. Grupet e interesit me fuqi financiare mund të arrijnë qëllimet egoiste, por rezultati ka treguar se ato forcohen, por strukturat e dobëta financiarisht në këtë përballje me ta ditë pas dite e zgjedhje pas zgjedhjesh e bëjnë partinë më të dobët. Këto grupe të interesit në fushata zgjedhore tashmë e sa kohë e kanë të shtrirë edhe rrjetin e shtabeve “ilegale”, që punojnë ekskluzivisht për sigurimin e sa më shumë votave, “për t’ia ftohur” tjetrit dhe për t’u ulur në rendin e parë në ulëset e Kuvendit. Tendenca e grupit për ta eliminuar dhe për ta bërë të pa ndikim grupimin tjetër në të njëjtën familje politike, por me funksionim të ndryshëm të kimisë politike, një ditë do ta dobësojë partinë dhe këto gërryerje brenda llojit i krijojnë hapësirë forcimit të rivalëve të jashtëm të partive politike.

14.Dy kategori sociale në PDK për arsye historike dhe biologjike kohore vijnë gjithnjë duke u zvogëluar. Të burgosurit politikë, veteranët dhe komandantët e UÇK-së. Këto dy kategori janë specie në rënie. PDK-ja veçse u pastrua nga të burgosurit politikë, sepse Kosova tashmë ka kaluar 22 vjet nga çlirimi. Numri i tyre biologjikisht mplaket dhe rrallohet. Edhe veteranët po ashtu. Prandaj fushata e NISMA-s doli të jetë nën përqindjen e pragut, në radhë të parë për shkak të dy faktorëve të lartcekur, por edhe të faktit se nën çatinë e saj nuk strehohet e tërë kategoria e veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe të afërmit e tyre. Për rrallimin dhe eliminimin e shtresës së çlirimtarëve është duke kontribuar për së mbrapshti edhe vetë Gjykata Speciale, por edhe deponimet armiqësore të disa segmenteve të oponentëve politikë shqiptarë, si goditje nga brenda, ashtu edhe të shpifjeve të shërbimeve sekrete serbe, si goditje nga jashtë.

15.PDK-ja e hapur për gjeneratën e re asaj i siguron rininë dhe shëndetin politik. Gjeneratat e reja që rriten me frymën e Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane, po iu dha hapësira e duhur karrierën dhe identitetin e tyre profesional dhe politik e ndërtojnë mbi vlera kombëtare që ka krijuar lëvizja çlirimtare dhe përpjekja për themelimin e shtetit të Kosovës. Jo thirrja në vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por përbrendësimi i këtyre vlerave ka qëndrueshmëri në hapësirë dhe kohë. Në një Kosovë që do të hyjë një ditë 50 vjetorin e çlirimit, shumë të rrallë do të jenë veteranët e UÇK-së. Kjo rrallësi e tyre fizike, nuk do të thotë plakje dhe vdekje e frymës, ideve, trashëgimisë dhe vlerave historike të UÇK-së dhe personaliteteve të mëdha kombëtare. Fryma skënderbegiane, fryma e rilindësve, e Hasan Prishtinës, Adem Demaçit, Adem Jasharit, Ukshin Hotit, Ibrahim Rugovës etj. nuk vdes dhe nuk shuhet me vdekjen fizike të personaliteteve.

16.Sot, ai që merr drejtimin e PDK-së ka mundësi për ta shpalosur gjeniun e tij dhe karakterin sakrifikues. Ai nuk e merr drejtimin e PDK-së në prag të shpërthimit të fitores dhe ardhjes në pushtet. E merr PDK që duhet rimëkëmbur. PDK-në së cilës duhet hequr pluhurin, duhet lëvizur PDK me çivitë e ndryshkura aty këtu, Sot e merr PDK-në ai që do të hap shumë dyer në të cilat nuk ka hyrë që sa e sa kohë, që do të takojë sa e sa fytyra të reja në seksion, nëndegë, degë, në fshatra të skajshme, në lagje qytetesh e qytezash, gjithandej ku ishte ai elektorat besnik dhe vullnetmirë. PDK-së partitë tjera ia kanë lakmuar elektoratin e qëndrueshëm. Koha tregoi se edhe ai qytetari luajal lëviz. Largohet nga ti, kur ti largohesh nga ai. Duhet punë e punë vigane që të kthehet fryma e besimit dhe besimi në vizionin e atij dhe të asaj strukture e cila do ta drejtojë PDK-në në situatën më të rëndë prej që ekziston si parti opozitare, si parti parlamentare, si parti institucionale, si parti shtet-formuese. Është mëkat politik e kombëtar mos ndalja e rrënimit të saj. Është përgjegjësi dhe mision kthimi i saj në pushtet.

(Autori është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së që nga themelimi i saj)

Të ngjashme