Partia Demokratike Evropiane: Përkrahësit e Vuçiqit sulmuan ekspozitën e protestave në Serbi, policia mbrojti agresorët

Prishtinë | 12 Gus 2025 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike Evropiane (EDP), një prej forcave politike qendrore në skenën politike të Bashkimit Evropian ka reaguar ashpër, pas një incidenti në Serbi që ka ngjallur shqetësim të gjerë për gjendjen e demokracisë dhe të drejtave themelore në atë vend.

Në qytetin Baçki Petrovac në Serbi, një ekspozitë fotografike njëditore që dokumentonte muaj të tërë protestash qytetare kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq është sulmuar me dhunë nga persona të lidhur me partinë në pushtet. Sipas EDP-së, ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti që policia serbe, në vend që të mbrojë organizatorët e ekspozitës dhe të arrestojë sulmuesit, ka mbrojtur agresorët dhe ka lejuar aktin e dhunës të ndodhë.

Më tej, kur qytetarë nga Novi Sadi u përpoqën të vinin në ndihmë dhe solidaritet me organizatorët pas sulmit, policia bllokoi hyrjen e tyre në qytet, duke penguar lirinë e lëvizjes dhe të tubimit.

Në deklaratën zyrtare të shpërndarë në rrjetet sociale, Partia Demokratike Evropiane e cilësoi këtë si një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, i kryer me bashkëpunimin e policisë së Vuçiqit.”

“Evropa duhet të qëndrojë fuqishëm përkrah atyre që mbrojnë demokracinë, nga Beogradi në Bruksel,” përfundon reagimi.

Ky reagim vjen në një kohë kur tensionet në Serbi janë rritur lidhur me lirinë e medias, protestat qytetare dhe veprimet autoritare të qeverisë nën udhwheqjen e Aleksandar Vuçiqit.

Të ngjashme