Partia e presidentit të Turqisë, Tayyip Erdogan, AK, e ka dorëzuar kërkesën për anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll, ka raportuar të marten transmetuesi “CNN Turk”, më shumë se dy javë pas votës.
Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve në Stamboll, Partia opozitare Republikane Popullore (CHP), e ka fituar me një rezultat të ngushtë qytetin më të madh të Turqisë, duke i dhënë fund 25 viteve të kontrollit të partisë AK mbi një qendër të rëndësishme. Zv.kryetari i AKP-së, Ali Ihsan Yavuz e ka dorëzuar apelin e jashtëzakonshëm të partisë së tij për anulim dhe rivotim në Stamboll, tek Bordi i Lartë Zgjedhor i Turqisë (YSK), raporton Reuters.
Po qe se apeli miratohet, rivotimi do të mbahet të dielen e parë pas 60 ditësh të votës së mëparshme, që i bie 2 qershori. Po qe se hedhet poshtë, rezultatet do të zyrtarizohen dhe fituesit do t’i jepet mandati.