Pas numërimit të shumicës së votave në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, rezulton se partia opozitare e krahut të djathtë e udhëhequr nga ish-kryeministri, Janez Jansha kryeson dukshëm në krahasim me garuesit tjerë.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka thënë më 4 qershor se pas numërimit të 90 përqind të votave, Partia Demokratike Sllovene ka fituar 25 përqind të votave, duke fituar 25 nga 90 ulëset e parlamentit.
Aktori dhe politikani, Marjan Sarec, nga lista e pavarur e të majtëve është listuar i dyti me 12.7 përqind të votave, apo 13 ulëse në parlament.
Tri partitë tjera, Social Demokratët, partia e kryeministrit në shkuarje Miro Cerar dhe ajo e të majtëve kanë fituar secila rreth 9 përqind.
Në rast se rezultatet mbesin të njëjta, asnjëra parti nuk mund të sigurojë shumicën në parlament, andaj ato duhet të nisin negociata për formimin e koalicionit qeverisës.
Përmes një fjalimi televiziv, 59 vjeçari Jansha ka thënë se partia e tij “i ka dyert e hapura dhe është e gatshme për koalicion” me të gjitha partitë.
Jansha ka qenë kryeministër në periudhat 2004-08 dhe 2012-13.
Ai njihet si aleat i kryeministrit hungarez me qasje kundër imigrantëve, Viktor Orban.
“Për shkak të politikës së tij për migrimin, Hungaria tani është shtet i sigurt, derisa Belgjika nuk është”, ka thënë Jansha përmes një postimi në Twitter.