Partia e deputetit të pavarur, Gëzim Kelmendi, e mbështetë në balotazh kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlajn.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kryetari i partisë Fjala në Drenas, Vehbi Berisha, raporton Ekonomia Online.
“Të nderuar qytetarë të Drenasit, të nderuar përkrahës. Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, në mbledhjen e kryesisë së mbajtur me datë 07 Dhjetor 2016, kemi analizuar rezultatet tona ku Partia FJALA me kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Drenasit është vlerësuar me 567 vota gjithsejtë ose në përqindje prej 2.72%”, ka shkruar Berisha.
Ai i ka falënderuar të gjithë ata që “ia besuan votën e tyre, duke votuar për ndryshime”.
“Komuna e Drenasit do të ketë edhe një palë zgjedhje, zgjedhje këto të balotazhit vetëm ndërmjet dy kandidateve të parë, të cilat do të mbahen me 18 Dhjetor 2016. Duke besuar se vota e të gjithë votuesve tanë ndaj nesh, ishte votë për ndryshime, ne mendojmë se tani kandidatura e Isa Xhemajlajt për ne paraqet ndryshimin, prandaj edhe Partia FJALA – Dega në Drenas ka marr vendim ta mbështet kandidaturën e Isa Xhemajlaj në garën e balotazhit për Kryetar të Komunës së Drenasit”, ka thënë Berisha.