Subjekti Politik PLE me shqetësim të madh ka pranuar informatat këtyre ditëve nga mediat si dhe nga komuniteti egjiptian përkitazi me ngritjen enorme të çmimeve në produktet ushqimore bazike në Kosovë, duke thelluar kështu akoma më shumë gjendjen ekonomike të familjeve egjiptiane.
PLE-ja, duke u bazuar në kërkesat edhe të komunitetit egjiptian kërkon urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të miratojë një pako ndihmëse emergjente për familjet në nevojë, përfshirë ato të komunitetit egjiptian në dhënien e pakove ushqimore dhe higjienike, ndarjen e një shume financiare për familjet pa asnjë të hyrë dhe çfarëdo mase tjetër ndihmëse.
PLE konstaton se çdo ditë e më tepër, familjet në nevojë nga komuniteti egjiptian janë duke u ballafaquar me vështirësi të mëdha ekonomike, për shkak edhe të pjesëmarrjes së ulët në tregun e punës si dhe vështirësitë e tjera që janë krijuar nga pandemia Covid-19.
Prandaj, me qëllim të tejkalimit të kësaj gjendjeje, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kërkojmë masa konkrete, në mënyrë që jeta e komunitetit egjiptian të jetë më e dinjitetshme.