Partitë politike pa përjashtim proklamojnë shtetin ligjor. Por kur vet bijnë ndesh me ligjin, u shmangen detyrimeve që krijojnë ndaj shtetit. Kështu ndodhë sidomos kur vije puna te pagesa e dënimeve që marrin gjatë zgjedhjeve, shkruan AktivPress.
Për shkak të mosshlyerjes së borxheve me kohë, disa prej tyre rrezikojnë të marrin dënime shtesë nga Paneli Zgjedhor për Shtresa dhe Parashtresa.
Borxhi i përgjithshëm i partive është 257.450 euro. Kjo shifër është krijuar vetëm nga gjobat e shqiptuara për shkelje të kodit të mirësjelljes gjatë zgjedhjeve lokale të 22 tetorit të vitit të kaluar.
Partitë deri më tani kanë paguar vetëm 93.900 euro, kështu duke detyruar PZAP-në që t’iu jep ultimatum subjekteve politike që deri në fund të këtij muaji t’i shlyejnë borxhet e tyre.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i) i ka paralajmëruar te gjitha subjektet politike te cilat nuk i kane paguar gjobat ne përputhje me afatin e përcaktuar me vendimin e PZAP-it për Zgjedhjet Lokale te 22 tetorit 2017 dhe ju ka dhëne edhe një afat shtesë prej 15 ditëve duke filluar prej datës 17.01.2018 deri me datën 31.01.2018”, tha kryesuesi i Sekretariatit në PZAP, Mulë Desku për AktivPress.
“Nëse subjektet politike nuk i paguajnë gjobat edhe pas këtij afati te ofruar nga PZAP-it brenda afatit te përcaktuar dhënë me këtë shkrese paralajmëruese për ti paguar gjobat, PZAP-i ka te drejte dhe obligim qe ne baze te nenit 120, paragrafi 2. Të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – LZP-së, te shqiptoj dënim shtesë”, shtoi Desku.
Subjekti i cili prin në listën dënimeve me gjobë prej 78.550 euro, është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila për më shumë se tre muaj nuk ka paguar as edhe një cent.
Për këto dënime të PZAP-së kishte reaguar edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili i ka quajtur plaçkitje të partive politike.
“Dënimet janë për të shërbyer si mjet edukativ. Ndërkaq këto dënime po përngjajnë më shume në një plaçkitje të partive politike”, kishte thënë Mustafa.
Ndërkaq pas LDK-së vije Partia Demokratike e Kosovës me 33.600 euro, ku nga kjo shumë ka paguar vetëm 1 mijë e 350 euro. Më pas lista vazhdon me AAK-në, e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Alternativa.
Ndërsa, subjektet që janë treguar më korrekte sa i përket pagesës së gjobës janë: NISMA, AKR-ja, Lista Serbe, KDTP, PDAK, LB, PLE dhe GISDP.
Shkeljet më të shpeshta gjatë fushatës zgjedhore kanë qenë vendosja e posterave në hapësira publike , tentativa për pengim të mbajtjes së tubimeve publike, ankesa lidhur me vendosjen e tendave në hapësira publike dhe në disa tubime elektorale përfshirja e fëmijëve ne fushatë.