Partitë opozitare duan zgjedhje të parakohshme, akuzojnë njëra – tjetrën për mosbashkëpunim  

Prishtinë | 11 Gus 2018 | 08:25 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Por tri partitë opozitare në Kuvendit e Kosovës Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Socialdemokrate, s’po mund të dakordohen për mënyrën dhe kohën se kur kjo Qeveri duhet të “shkojë në shtëpi”, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të këtyre tri partive po akuzojnë njëra- tjetrën për mosbashkëpunim sa i përket rrëzimit të Qeverisë dhe caktimit të datës së zgjedhjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti, thotë se shtatori është koha e fundit kur duhet të mbahen zgjedhjet në vend.

Ai shtoi se këto zgjedhje do t’i japin fund kësaj krize e cila po vije nga koalicioni, i cili s’është legjitim të vazhdojë të qeveris me vendin.

“… nga muaji prill kur koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën menjëherë është dashur të ulemi të dakordohemi për të organizuar zgjedhjet e reja. Ne i patëm dhënë mundësi kësaj, përmes tryezave politike të organizuara nga LDK-ja në mënyrë që partitë politike të ulën, të bëhen bashkë, të pranojmë fatin që jemi me një krizë dhe është e pamundshme që institucionet të udhëheqin me një pakicë parlamentare”.

“Të caktohet një datë e zgjedhjeve dhe të punojmë pastaj e të përgatitemi për atë datë, por nuk kishte vullnet, sepse ky koalicion i pakicës janë të vendosur për të quar përpara atë qeverisje edhe pse nuk kanë fuqi politike, dhe normalisht ne tash presim që në shtator të ndërmarrim hapa kushtetues për të quar vendin në zgjedhje”, ka thënë Hoti.

Ndërsa deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu thotë se për tu mbajtur zgjedhjet e parakohshme duhet bashkëpunimi opozitar, pasi që arritja e këtij synimi mund të jetë e vështirë.

Ajo ka thënë se LVV është e përkushtuar që të arrihen zgjedhjet sepse Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është në dëm të Kosovës.

“Për të ardhur deri te kjo duhet një bashkëpunim opozitar për brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet një bashkim forcash, por edhe bashkim veprimesh”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se në seancën e fundit grupi parlamentar i LVV dhe i LDK-së ishin koordinuar që të mos votojmë projektligjet e Qeverisë Haradinaj, por grupi i PSD-së mundësoi votimin tyre në Kuvend.

“Kuvendi duhet të shkoj në zgjedhje për shkak të qeverisë jo funksionale. Kësaj nisme fatkeqësisht nuk i bashkohej grupi tjetër siç është PSD, pra ata votonin projektligjet e Qeverisë Haradinaj dhe ia mundësonin kësisoj kuorumin”.

“Prandaj pa pasur një bashkëpunim opozitar do të jetë e vështirë, mirëpo jo e pamundur sepse edhe kurdo që të filloj sesioni i ardhshëm i Kuvendit të Republikës, ne si Vetëvendosje do të jemi të gatshëm dhe do të angazhohemi për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.

“…do ditë e kësaj qeverie është në dëm të Republikës së Kosovës, në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës andaj ne duhet të punojmë maksimalisht në drejtim të krijimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës”, shtoi Haxhiu.

Por shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Sejdiu i the Ekonomia Online se janë të gatshëm që ta mbështesin mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë.

Ai tha se akuzat nga LDK dhe VV-ja për mosbashkëpunim nga ana e PSD-së janë bërë që ta dëmtojnë këtë subjekt, ndërkaq theksoi që duhet iniciative e sinqertë dhe serioze për mocionin e mosbesimit.

“Në fakt propozimet e tilla i kanë përmend LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje që një kohë dhe në disa prej reagimeve të tyre publike, kanë thënë që PSD qenka problemi i mocionit”.

“Ne thjesht ju përgjigjem duke i thënë që kurdo që të nisni një mocion të tillë, do t’i keni nënshkrimet nga ana jonë”.

 

Të ngjashme