“Erdogan diktator! ‘Ju votoni, unë fitoj’”

Prishtinë | 19 Pri 2018 | 10:28 | Nga

Pas vendimit të tij për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, “The Guardian” e përshkruan Recep Tayyip Erdogan si një diktator që vetëm emrin nuk e ka të tille, edhe pse kërkon kontroll të plotë mbi çdo gjë.

Kreu i shtetit turk, sipas të përditshmes prestigjioze britanike, pak gjasë ka që t’i humbasë këto zgjedhje, të cilat do ta bëjnë më të fuqishëm se Ataturkun.

Në këtë aspekt Erdogani, shkruan “The Guardian”, nuk ndryshon nga Vladimir Putini i Rusisë dhe Abdel Fatah al-Sisi i Egjiptit. Ideja e tyre e përbashkët e demokracisë mund të përmblidhet në këtë shprehje të thjeshte: “ju votoni, unë fitoj”.

Me deklaratën e vet një ditë më parë, presidenti turk tregoi se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më shumë se një vit përpara afatit, me qëllim të përshpejtohet kalimi në një presidencë me fuqi ekzekutive.

Një lëvizje të tillë, ai e arsyetoi me përballjen e sfidave të shumta që i shtrohen vendit. Zgjedhjet do të zhvillohen në 24 qershor të këtij viti dhe jo në nëntor 2019.

“Edhe pse presidenti dhe qeveria po punojnë në unitet, sëmundjet e sistemit të vjetër na shpërfaqen në çdo hap që bëjmë”, u shpreh Erdogani në një fjalim televiziv.

Turqia aktualisht po kalon nga një sistem parlamentar në atë presidencial, çka do t’i rrisë kompetencat presidentit. Erdogani fitoi një referendum me një rezultat të ngushtë vitin e kaluar për të ndryshuar kushtetutën dhe për të krijuar një presidencë ekzekutive, pushteti i zgjeruar i së cilës do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme