Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë priten të mbahen më 6 tetor ndërkaq edhe para shpalljes së kësaj date, partitë politike që nga dita e dorëheqjes së Ramush Haradinajt kanë nisur fuqishëm të bëjnë fushatë, ku po mbajnë takime me qytetarë në fshatra e qytete, raporton Ekonomia Online.
Thuajse të gjitha partitë politike tashmë kanë zyrtarizuar sloganet e tyre, si kryefjalë e planit dhe programit politik me të cilën synojnë të fitojnë sa më shumë vende në këtë legjislaturë.
Por, sloganet e partive politike në vend po konsiderohet se nuk kanë përputhshmëri me programin zhvillimor të këtyre partive.
Betim Musliu, hulumtues i lartë në IKD, thotë se bazuar në fushatat e kaluara sloganet e partive nuk rezultojnë në përputhshmëri me punën e subjekteve.
Ai shton se modeli i qeverisjes që e kanë ofruar shumë subjekte partiake ka qenë në kundërshtim me të gjitha parimet e standardit të qeverisjes së mirë.
“Deri më tash bazuar në ato që i kemi parë në fushatat e kaluara nuk rezulton që janë thjeshtë diçka që kanë punuar partitë politike dhe që kanë arritur që t’i zbatojnë e kam fjalën për partitë që kanë arrit ta marrim pushtetin dhe që në kuadër të mandatit të tyre kanë pasur mundësi që të punojnë për t’i realizuar të gjitha ato premtime të cilat i kanë dhënë, kemi pas premtime megalomane nga ana e partive politike gjatë kohës së fushatave, e dimë ato premtimet e famshme për qindra mijëra vende punë, për liberalizim e shumë çka tjetër, por të cilat premtime thjeshtë nuk kanë arritur që t’i përmbushin, përkundrazi modeli i qeverisjes që e kanë ofruar ka qenë në kundërshtim me të gjitha parimet e standardit të qeverisjes së mirë”, tha Musliu.
Artan Murati nga Institutit Demokratik i Kosovës, thotë se secili subjekt politik duhet të ketë obligim moral kundrejt votuesve të tyre potencial, që të paraqes një program të cilin do ta jetësonte në rast se i fiton zgjedhjet.
“Fushata duhet të jetë e orientuar në çështje programore, secili subjekt politik, duhet apo ka të paktën ka obligim moral kundrejt votuesve të tyre potencial, që të paraqes një program të cilin do ta jetësonte në rast se i fiton zgjedhjet dhe kjo është ideja pse bëhet fushata, përveç njoftimit me kandidatët që do të garojnë dhe shpalosja e programit në anën tjetër, subjektet politike në Kosovë, dalin me programe joformale, mirëpo jo çdo herë janë të kujdesshëm në trajtimin e atij programi si duhet para elektoratit potencial dhe prezantimin e tij, kështu që konsideroj që subjektet politike duhet ta shfrytëzojnë këtë kohë të fushatës që të konceptojnë mirë programet e tyre dhe pastaj të shpalosin në detaje për secilën kategori të njerëzve”, thotë Murati.
Listat zgjedhore të publikuara nga disa parti politike, kanë ngjallur reagime tek shoqëria civile, mediet dhe qytetarët për përbërjen e tyre. Kjo pasi disa nga partitë garuese, në listat e tyre, supozohet se kanë futur kandidatë të rinj në moshë të cilët nuk i kanë njohur fare.
Betim Musli nga IKD-ja, thotë se rastet e fundit me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga disa parti politike, dëshmojnë se këto parti me nguti i kanë hartuar listat e tyre zgjedhore.
“Partitë politike duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme dhe të investojnë në sigurimin e kuadrove që do t’i prezantojnë qytetarëve dhe që përmes qytetarëve dhe që përmes tyre të synojnë të arrijnë deri tek vota për të marrë besimin për të qeverisur, përpilimi i listave të partive politike deri më tani kemi parë se është bërë nga ajo garda e vjetër e atyre që kanë qenë pjesë e partisë por kësaj here kemi një risi që ka një numër të madh të kandidatëve të rinj që për herë të parë janë pjesë e listave zgjedhore në parti politike e që me sa kemi pa ka pas edhe kandidatë që nuk janë qasur seriozisht krejt saj dhe paritë politike kanë arritur që në lista të fusin edhe njerëz të cilët nuk i kanë njohur sa duhet dhe patëm rastin që ka pasur në lista ka pasur përfshirje të kandidatëve që kanë pas edhe aktakuza e për të cilat vetë liderët e partisë nuk kanë pas informacion dhe janë detyruar që ti heqin”, tha Musliu.
Ndërsa Artan Murati nga KDI-ja, thotë se partitë politike duhet të jenë serioze në trajtimin e kandidaturave potenciale dhe ta dinë se kë po e fusin në listë, raporton EO.
“Është në diskrecion të subjekteve politike për të përcaktuar garuesin e tyre me të cilin do të garojnë në zgjedhjet e 6-të tetorit dhe çdo herë kur ka prurje të reja, kjo është një trend pozitiv, sepse ne në vazhdimësi kemi kërkuar hapësirë sidomos për persona të rinj në moshë të cilët do mund t’i pasuronin edhe vetë aktivitetet në aspektin përmbajtjesor të punës së tyre, nuk shoh diçka të keqe nëse ka kandidat të rinj në moshë, mirëpo subjektet politike duhet të sigurohen që edhe këta kandidatë të kenë hapësirën e barabartë me të tjerët, jo vetëm të përdoren për hir të fushatës ose statistikave, për ta ulur ndoshta moshën mesatare të listës së kandidatëve karshi subjekteve tjera politike dhe të sigurojnë që këta persona janë me kredibilitet. Të rinjtë duhet të kenë qasje dhe peshë të fjalës brenda subjekteve jo vetëm të jenë sa për sy e faqe në lista”, tha Murati.
AAK-PSD për slogan ka “100% Kosovë”, PDK “Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin”, LDK-ja sloganin “Besëlidhja”, Vetëvendosja “Erdhi dita” ndërsa Nisma-AKR e sloganin “Bashkë për shtetin”.