Partitë që nuk i kanë paguar gjobat të cilat ua ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkeljet që ata i kanë bërë gjatë zgjedhjeve të parakohshme nacionale, të cilat u mbajtën më 11 qershor, nuk do të mundë të marrin pjesë në zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor.
PZAP-i në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka pranuar 354 ankesa, ndërsa për shkelje të Kodit të Mirësjelljes ka gjobitur subjektet politike me gjithsej 348 mijë euro, por deri më tash janë paguar vetëm 10 mijë euro.
Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se deri më tani është paguar vetëm një shumë e vogël nga gjobat e shqiptuara. Ai ka thënë se nga 348 mijë euro gjoba të shqiptuara, partitë kanë shlyer vetëm 10 mijë euro.