Subjektet politike që menaxhojnë apo synojnë të menaxhojnë në të ardhmen buxhetin e shtetit nuk i kanë të rregulluara sipas ligjeve çështjet financiare brenda vetë partisë.
Asnjëra prej tyre nuk ka kontabilist të certifikuar dhe nuk e udhëheq kontabilitetin sipas standardeve ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo është pasqyruar në raportet financiare vjetore dhe raportet financiare të fushatave të partive politike për vitet 2013-2016.
Raportet në fjalë janë audituar nga kompania “Audit & Conto”, që me katër vjet vonesë ishte përzgjedhur nga Kuvendi për auditim të financave të partive politike. Përveç donatorëve privatë, çdo vit nga buxheti i shtetit ndahen rreth 4 milionë euro për subjektet politike.